Tri ndeshje interesante na presin sot: Luftohet për mbijetesë e top treshe  - NACIONALE

Tri ndeshje interesante na presin sot: Luftohet për mbijetesë e top treshe 

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe tri ndeshje të tjera zhvillohen sot në kuadër të javës së 28, në Superligën e Kosovës në futboll.

Përballja kryesore e ditës padyshim se është ajo mes Prishtinës dhe Malishevës, që fillon nga ora 13:30 dhe luhet në "Bajram Aliu" të Skenderajt.

Takimi është zhvendosur në Skenderaj, pasi në "Fadil Vokrri" do të luajë Kombëtarja e grave e Kosovës.

Pritet të jetë një përballje interesante kjo, për shkak të nivelit gati të njejtë të skuadrave, teksa vetëm një pikë i ndan në renditjen tabelare.

Prishtina zë pozitën e pestë në tabelë, pas 27 javëve, me 35 pikë, ndërsa Malisheva është e shtata me 34 - Drenica është mes tyre, poashtu me 35 pikë.

Në përballjen tjetër, Feronikeli në krizë ekzistenciale në Superligë, luan si nikoqir i Dritës, me fillim nga ora 14:00.

Këtu vetëm një befasi e jashtëzakonshme mund ta ndajë Dritën nga fitorja, pasi është favorite kundër një 'Nikli' që po përballet me probleme financiare dhe po luan me të rinjtë e klubit.

Skuadra nga Drenasi zë pozitën e fundit në tabelë me 12 pikë dhe është plot 22 pikë larg zonës së shpëtimit.

Në anën tjetër, Drita zë vendin e tretë me 49 pikë, tri më pak se Gjilani në vendin e dytë, dhe 11 më pak se lideri Ballkani.

Në ndeshjen tjetër, Ulpiana takohet me Llapin, me fillim nga ora 14:00.

Llapi lufton për pikë të plota për të bërë presion edhe më shumë për vendin e tretë, teksa zë të katërtin me tetë pikë më pak se Drita.

Në anën tjetër, çdo pikë është jetike edhe për Ulpianën, e cila po lufton për mbijetesë në Superligë - zë vendin e parafundit në renditje, me 24 pikë, 10 më pak se Malisheva në zonën e sigurtë.

Në ndeshjet e djeshme, Ballkani dhe Gjilani kanë arritur të shënojnë dy fitore të rëndësishme. Ekipi therandas mposhti Dukagjinin me anë të një goli në minutën e 82-të përmes lojtarit kreativ, Meriton Korenica, duke dalë me tri pikë të plota nga një takim ku vuajti shumë, por që u bë më i lehtë pas përjashtimit nga loja me dy kartona të verdhë të Bujar Shabanit.

Në anën tjetër Gjilani siguroi fitore të thellë prej 5 me 0, kundër Drenicën. Distanca mes ekipit të udhëhequr nga Ilir Daja dhe gjilanasve mbetet e njëjta, prej 8 pikësh, njësoj sikurse para fillimit të këtyre takimeve.

Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, pas ndeshjes kundër Ballkanit, kritikoi gjyqtarët për pikët që skuadra e tij po i humbet. Ankesat kryesore i pati për shkak të përjashtimit nga loja të Bujar Shabanit, me dy kartona të verdhë, që erdhi në pjesë të dytë.

"Ky gjyqtar është jo kompetent. Nuk është hera e parë që na dëmton. Tashmë është e ditur. Pësuam një gol shumë naiv. Pavarësisht që munduam t'i bëjmë ndryshimet edhe në formacion, edhe në skemë - ky ishte maksimumi që mund të bënim. Tani shpresojmë në gabimet e kundërshtarëve dhe nëse ekziston ky vullnet i treguar nga lojtarët sot, atëherë besoj që mund t'ia dalim ta shmangim zonën e barazhit", deklaroi trajneri vushtrrias i Dukagjinit, Armend Dallku.

Lajme të ngjashme