Trajneri i Zvicrës para ndeshjes me Kosovën: Bleva bileta dhe ua dhashë miqve të mi shqiptarë
Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka thënë se iu ka dhuruar bileta miqve të vet me prejardhje shqiptare për miqësoren e shumëpritur mes kombëtaren helvetike dhe Kosovës në fund të këtij muaji.
Kosova do të përballet me Zvicrën për herë të parë në historinë e vet më 29 mars në Zurich, në një ndeshje miqësore që është cilësuar si vëllazërore nga mediat zvicerane.
Duke folur për mediat zvicerane të premten pasi e publikoi listën me futbollistët që i ka ftuar për këtë takim, Yakin zbuloi se të gjitha 20 mijë biletat janë shitur tashmë dhe se ai i ndau disa për miqtë e vet shqiptarë nga 70 biletave sa i kishte blerë vetë.
“Të gjitha biletat e ndeshjes janë shitur. Unë i bleva 70 bileta për miqtë e mi dhe një pjesë të madhe të tyre ua dhashë miqve të mi me prejardhje shqiptare”, tha Yakin.
Zvicra dhe Kosova janë parë shpesh si rivalë jashtë fushës në përpjekjet e tyre për t’i bindur futbollistët me prejardhje shqiptare të luajnë për kombëtaret e tyre përkatëse dhe rasti më i freskët është pikërisht Zeqiri, i cili tani do të luajë kundër vendit që i kishte premtuar se do ta përfaqësonte.
Në Kosovë Zvicra madje është akuzuar shpesh se ka lobuar kundër pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016, gjë që është mohuar vazhdimisht nga ajo.
Megjithatë, 47-vjeçari këmbënguli se rivaliteti në këtë takim do të jetë sportiv dhe jo politik në fushë mes futbollistëve dhe në tribuna mes tifozëve në stadiumin Letzigrund në Zurich.
“Natyrisht se do të ketë rivalitet, por rivalitet sportiv jo politik. Do të jetë një përvojë miqësore, një ndeshje miqësore. Futbolli në veçanti i afron njerëzit njëri me tjetrin dhe këtë duam ta përjetojmë ne në fushën e futbollit mes futbollistëve dhe tifozëve po ashtu”, këmbënguli ai.
Kjo do të jetë ndeshja e dytë miqësore për Kosovën këtë muaj, pasi do të takohet me Burkina Fason tri ditë më parë, të enjten më 29 mars në Prishtinë.
Alain Giresse ende nuk e ka publikuar listën e Kosovës për këto ndeshje miqësore, të cilat do të jenë të parat për të në stolin dardan.
69-vjeçari u emërua trajner i Kosovës më 23 shkurt në një marrëveshje me kohëzgjatje deri në nëntor të vitit 2023, duke e zëvendësuar Bernard Challandesin e shkarkuar në fund të vitit të kaluar.