Trajneri i ri i Leeds, Sam Allardyce: Askush s’është më i mirë se unë, as Pep as Klopp
Sam Allardyce pretendon se nuk ka trajner më të mirë në botën e futbollit se ai, pasi u emërua trajner i Leeds Unitedit me qëllim për ta mbajtur atë në Premierligë.
68-vjeçari i ka nisur në mënyrë të guximshme përpjekjet për t’ia kthyer vetëbesimin një ekipit të cilit i mungon diçka e tillë në kohën më të keqe të sezonit, pasi e ka mbledhur vetëm një pikë në pesë ndeshjet e fundit.
Ish-trajneri i Anglisë i ka katër ndeshjet për ta shpëtuar Leedsin nga rënia prej Premierligës.
Allardyce e nis karrierën në Leeds me një ndeshje të palakmueshme në udhëtim kundër liderit dhe kampionit në fuqi Manchester City, para se të përballet me ish-klubet e veta Newcastle United dhe West Ham.

Ai do ta mbyllë sezonin në shtëpi me një ndeshje tjetër të vështirë kundër Tottenhamit.
Do të jetë një orar shumë i vështirë për Leedsin, i cili tani për tani është jashtë zonës së rënies nga liga falë goldallimit, në vendin e 17-të, por Allardyce e di se ku po futet dhe dëshiron t’i fitojë gjashtë pikë në këto ndeshje për ta mbajtur Leedsin në elitë.
“Shumë njerëz mendojnë se unë jam i vjetër dhe prapanik, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Unë mund të jem 68 vjeç dhe i vjetër, por askush nuk është para meje në futboll. As Pep, as Klopp e as Arteta”, tha Allardyce.
Është i qartë zemërimi se Alardyces i është dashur të priste gati dy vite për ta marrë një thirrje për t’u kthyer në Premierligë.
Ai ka hedhur poshtë oferta jashtë vendit, sepse Anglia është vendi ku ai dëshiron të jetë.
“Është adrenalina kur futesh brenda. Kur i shikon objektet, posaçërisht fushat, dhe mendon jemi këtu, jemi kthyer në kohën madhështore. Kjo është liga më e madhe në botë. Kjo punë është e vështirë, por ky vend është shumë i mirë”, shtoi ai.