Trajneri i PSG-së me deklaratë të guximshme për Neymarin: Pa të jemi më të balancuar - NACIONALE

Trajneri i PSG-së me deklaratë të guximshme për Neymarin: Pa të jemi më të balancuar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Christophe Galtier, e ka pranuar se skuadra e tij është më e baraspeshuar në lojën e saj pa Neymarin, megjithëse këmbënguli se mungesa e tij do të vërehet prapëseprapë.

PSG-ja njoftoi këtë javë se Neymari do t’i nënshtrohet një operacioni në nyjën e këmbës së djathtë, për t’i rregulluar ligamentet e dëmtuara.

Operimi dhe riaftësimi do t’ia marrin Neymarit deri në katër muaj kohë, që nënkupton se ky sezon do të ketë mbaruar kur të vijë koha që ai të kthehet në fushë.

Ditëve të fundit u sugjerua se PSG-ja është skuadër më e baraspeshuar dhe më e sigurt në lojë pa praninë e Neymarit në fushë, dhe Galtier është pajtuar me këtë.

Duke folur për media para ndeshjes së kthimit në një të tetën e finales në Ligën e Kampionëve kundër Bayern Munich, Galtier shpjegoi: “E shoh se ka pasur debat rreth kësaj. Është një humbje, qartazi. A është ekipi më i baraspeshuar? Po”.

“A është më mirë kështu? Do të them se ta kemi atë është më mirë për të shënuar gola”, shtoi ai.

PSG-ja e humbi 1:0 ndeshjen e parë në Parkun e Princave dhe tani i duhet të fitojë në Munih me të paktën dy gola dallim për të kaluar në çerekfinale dhe për t’i mbajtur gjallë shpresat për ta fituar trofeun e parë në Ligën e Kampionëve.

Lajme të ngjashme