Trajneri i Lilles kërkon “më shumë” nga Edon Zhegrova
Trajneri i Lilles Paulo Fonseca thotë se dëshiron të sheh më shumë nga sulmuesi i krahut Edon Zhegrova.
24-vjeçari po vazhdon shkëlqimin te skuadra franceze, derisa realizoi një eurogol nga distanca në fitoren e fundit ndaj Clermontit.
Megjithatë, Fonseca ka deklaruar se dëshiron të sheh edhe më shumë nga Zhegrova.
“Tani dua të shoh më shumë vazhdimësi. Këtë sezon, paraqitjet e Edonit kanë qenë më të qëndrueshme (në të njëjtin nivel), por dua të shoh më shumë. E di që mund të bëj më shumë, mund të jetë më i qëndrueshëm”.
“Ai e nisi të ndryshojë sezonin e kaluar duke luajtur më shumë për skuadrën, kthehet në mbrojtje gjithashtu dhe po vazhdon këtë rrugëtim”.
Për Zhegrovën ky mund të jetë sezoni i fundit te Lille pasi pritet të bëhet me skuadër të re ë verë, meqenëse pëlqehet nga disa klube të mëdha evropiane.
Emra të mëdhenj si Real Sociedad dhe RB Leipzig thuhet se janë favoritët për shërbimet e kosovarit, i cili preferon kalimin në Bundesliga.
Ndër të tjera, Zhegrova këtë sezon ka zhvilluar 27 paraqitje në të gjitha garat duke kontribuar me shtatë gola dhe tetë asistime në përgjithësi.