Trajneri i Lille: Zhegrova më në fund e ka kuptuar se sa është e rëndësishme të luash për skuadrën - NACIONALE

Trajneri i Lille: Zhegrova më në fund e ka kuptuar se sa është e rëndësishme të luash për skuadrën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot, Edon Zhegrova shënoi golin e dytë për Lille brenda katër ditësh. Goli i tij kundër Lyonit nuk mjaftoi, pasi falë penalltive Lille humbi rastin për t’u kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Francës. Trajneri Paulo Fonseca foli rreth përmirësimit që ka bërë sulmuesi kosovar.

Ditët e fundit kanë qenë tej mase pozitive për Zhegrovën. Pasi shkëlqeu kundër Rennes, ai bëri paraqitje të mirë edhe sot në 1/8 e finales të Kupës së Francës kundër Lyonit në udhëtim. Në minutën e 64-të arriti të shënojë golin e barazimit 2:2, para se të dilte nga fusha për shkak se nuk ndihej mirë.

Rreth paraqitjes së tij foli trajneri i Lille, Paulo Fonseca, i cili shpjegoi edhe arsyet e zëvendësimit të tij në minutën e 76-të, pasi futbollisti kosovar po mbante duart në stomak duke ndier dhimbje.

“Edon Zhegrova në ditët e fundit ka qenë sëmurë. Jam i lumtur me paraqitjen e tij”, tha ai në fillim.

Ish-trajneri i Romës edhe një herë thuri lëvdata për përmirësimin që ka bërë 23-vjeçari kosovar. Ai theksin e vuri te qasja ndryshe që tani ka ai.

“Është shndërruar në tjetër futbollist sa i përket vendimeve që merr në fushë dhe për mënyrën se si luan për skuadrën. Ka ndryshuar për të mirë. E ka kuptuar rëndësinë që ka të luash për skuadrën”, theksoi ai.

Zhegrova vazhdimisht është kritikuar për kokëfortësinë e tij në të zotëruar topin më shumë sesa që duhet, duke treguar paksa egoizëm në momente të caktuara. Sipas trajnerit të skuadrës franceze pikërisht në këtë aspekt ka ndryshuar mentalitet së fundmi.

Për përfaqësuesin “dardan” goli i sotëm ishte i dyti në sezon për Lille dhe i pari në Kupën e Francës, edhe pse me shije të hidhur, meqë në fund Lyon triumfoi pas ekzekutimit të penalltive (4:2), kurse rrugëtimi i Lille në kompeticionin gjegjës mbaroi me kaq.

Lëndimi i rëndë që pësoi Ounas para pak javësh ia ka mundësuar Zhegrovës që të ketë më shumë hapësirë në formacionin e Lille, meqë deri së voni ishte lënë kryesisht në bankën rezervë.

Lajme të ngjashme