Trajneri i Al Nassr e fajëson Ronaldon për eliminimin nga Superkupa e Arabisë Saudite
Trajneri i Al Nassr, Rudi Garcia, mendon se rasti i humbur nga ylli portugez, Cristiano Ronaldo, në pjesën e parë, ndryshoi rrjedhën e lojës dhe ndikoi në eliminimin e skuadrës nga Superkupa e Arabisë Saudite, nga Al Ittihad.
37-vjeçari pati një natë të keqe dje, ku dështoi ta çonte tutje skuadrën e tij, pasi humbën me rezultat 3:1. Sulmuesi portugez kishte shansin e artë për të barazuar rezultatin, pasi paraprakisht Al Ittihad kishte epërsinë me golin e shënuar nga Romarinho në minutën e 15-të. Garcia mendon se një gol në atë moment nga Ronaldo do të bënte ndryshimin e madh në momente vendimtare.

“Një nga gjërat që ndryshoi rrjedhën e lojës, padyshim ishte shansi i humbur nga Cristiano Ronaldo në pjesën e parë”, tha francezi pas ndeshjes.

Al Ittihad shfrytëzoi mirë shansin e humbur nga kundërshtari, duke shënuar për dyfishimin e epërsisë në minutën e 43-të të takimit me anë të Hamdallah. Goli i Anderson Taliscas në minutën e 67-të bëri që shpresat të ktheheshin sadopak, por goli i Alshanqeeti në minutat shtesë për 3:1, bëri që skuadra e Ronaldos të eliminohej.

Cristiano Ronaldo ende nuk ka gjetur golin me skuadrën e re, në dy ndeshje të zhvilluara deri më tani dhe ish-ylli i Real Madridit mund ta kërkojë këtë mundësi të premten e ardhshme, ku Al Nassr takohet me Al Fateh në kuadër të ligës saudite.

