Tottenham në "frymën e fundit" fiton një pikë ndaj Chelseas, Bayern Munich kryen detyrën ndaj Wolfsburg - NACIONALE

Tottenham në "frymën e fundit" fiton një pikë ndaj Chelseas, Bayern Munich kryen detyrën ndaj Wolfsburg

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tottenham ka arkëtuar një pikë në derbin londinez kundër Chelseas, derisa Bayern Munich ka mposhtur në shtëpi Wolfsburgun.

"Blutë" e Londrës ishin duke triumfuar me rezultat të ngushtë 2:1, por Harry Kane shënoi në kohën shtesë për t'i fituar një pikë skuadrës së Antonio Conte.

Chelsea e nisi shumë më mirë nga minutat e parë duke pasur posedimin dhe krijuar disa aksione të bukura.

Zhvillohej minuta e 19-të, kur Marc Cucurella me një harkim të bukur nga këndi gjeti Kalidou Koulibalyn i cili realizoi një eurogol në stilin vollej (19').

Vendasit kishin edhe disa raste të tjera që ta rrisnin epërsinë, por që nuk i konkretizuan kësisoj epilogu i kësaj pjese doli të jetë 1:0.

Pjesën e dytë, Tottenham e nisi shumë më mirë me Harry Kane që kishte rastin e artë të barazonte rezultatin, por dështoi keq nga afërsia në përballjen një kundër një kundër Edouard Mendy.

Sidoqoftë, Pierre-Emile Hojbjerg barazoi rezultatin duke shënuar një gol të bukur nga distanca pas një asistimi të Davies (68').

Goli u rishikua nga VAR-i pasi u mendua se ishte një faull në fillimin e aksionit, ku si pasojë kishte përplasje edhe mes trajnerëve Thomas Tuchel e Antonio Conte.

Mirëpo, edhe pas rishikimit të VAR-it doli që ishte në rregull e goli u pranua. Por, nëntë minuta më vonë Kalidou Koulibaly fitoi një top dhe nisi një kundëraksion të shpejtë duke ia pasur Raheem Sterling, me këtë të fundit që gjeti për mrekulli Reece James, i cili e dërgoi topin në rrjetë (77').

Tutje, Chelsea kishte prapë mundësinë të shtonte avantazhin, por Mason Mount dështoi nga afërsia.

Vlen të ceket se disa minuta zhvilloi edhe shqiptari Armando Broja që u inkuadrua në fushë në minutën e 89-të duke zëvendësuar Kai Havertz.

Kur askush nuk e priste, pas një harkimi nga këndi Harry Kane realizoi me kokë duke bërë heroin për Tottenhamin (90+6'). Kështu, me këtë pikë Chelsea zë pozitën e shtatë me katër pikë, derisa Tottenham renditet e katërta me katër sosh gjithashtu.

Edhe pas ndeshjes, Conte u përplas sërish me Tuchel ku u nevojit edhe ndërhyrja e stafit që t'i ndante.

Ndërkohë, Bayern Munich pa ndonjë problem ka fituar në sfidën kundër Wolfsburgut me rezultat komod 2:0.

Gjiganti gjerman e dominoi në çdo aspekt kundërshtarin qysh nga minuta e parë dhe me plot meritë arkëtoi tre pikët.

Sadio Mane hapi serinë e golave duke shënuar një gol të bukur, por që u anulua për pozitë jashtë loje (20').

Sidoqoftë, ishte talenti gjerman Jamel Musiala që mori një top larg zonës së 16-metërshit dhe me një goditje nga distanca kaloi "Bavarezzët" në epërsi (33').

Ndërsa, golin që rezultoi të jetë i fitores e realizoi Thomas Muller i cili devijoi gjuajtjen e Joshua Kimmich (44').

Në pjesën e dytë, pavarësisht rasteve të shumta asnjëra skuadër nuk i konkretizoi rastet.

Kështu, Bayern Munich merr kreun e Bundesligas me gjashtë pikë, derisa Wolfsburg bie në pozitën e 14-të me një pikë.

Lajme të ngjashme