Tottenham tregohet i frikshëm, shpartallon Southamptonin dhe merr tri pikët e para - NACIONALE

Tottenham tregohet i frikshëm, shpartallon Southamptonin dhe merr tri pikët e para

1 javë më parë

nga NACIONALE

Tottenham ka bërë një nisje të furishme në Premierligë, duke shënuar një fitore si vendës me shifra të thella prej 4:1 kundër Southampton. Në ndeshjet tjera të orës 16:00 janë shënuar rezultate përafërsisht të pritshme.

Qëkur Antonio Conte ka ardhur në stolin e Tottenham, kanë filluar edhe ndryshimet e shumta. Përtej faktit që ka siguruar plasmanin në Ligën e Kampionëve në javët e fundit të kampionatit paraprak, trajneri italian i ka transmetuar Spursave edhe një mentalitet fituesisht, i cili u ka munguar tradicionalisht.

Në ndeshjen e sotme edhe pse fillimi nuk u duk prej më të mirëve, Tottenham u tregua i aftë që të reagonte dhe ta përmbyste rezultatin në anën e vet, për t'i marrë tri pikët e plota.

Ndonëse sot nuk shënoi gol Harry Kane, skuadra londineze veriore prapëseprapë ia doli t'i shënonte një mori golash.

Përmbysja e Tottenhamit në pjesën e parë

Ndeshja nisi me një ritëm jo të lartë, me të dy skuadrat që studioheshin në fushë, pa dashur që të lënin hapësira të mëdha.

Gjithçka ndryshoi në minutën e 12-të, kur James Ward-Prwose për mrekulli shënoi gol, nga një pozitë ballore, për t'i dhënë skuadrës jugore një epërsi të befasishme.

Dy minuta më vonë, Tottenham u mundua që menjëherë të kundërpërgjigjej, duke kërkuar një penallti që t'i akordohej, por njësoj nuk mendoi edhe gjyqtari i ndeshjes, që urdhëroi që të vazhdohej loja.

Në minutën e 21-të erdhi goli i barazimit. Një asist i përkryer nga Kulusevski, gjeti të vetëm në zonë Sessegnon, i cili nga afërsia shënoi për 1:1.

Nga ky moment, Spurs vazhduan që të ushtronin tryesninë e tyre në gjysmëfushën kundërshtare. I përhershmi, Son, në minutën e 31-të gjeti të lirë Dier, i cili u tregua klinik para portës, për ta përmbysur rezultatin në 2:1.

Deri në përfundim të pjesës së parë, nikoqirët krijuan edhe tri aksione tjera të rrjedhshme, por pa mundur që t'i konkretizonin. Kësisoj, 45 minutat e para përfunduan me rezultat 2:1.

Thellimi i epërsisë në pjesën e dytë

Ndeshja mori drejtim qysh herët në pjesën e dytë, me Tottenham që tregoi se nuk kishte ndërmend që t'i lënte asgjë rastësisë, duke vulosur një fitore të bindshme.

E tillë u vërtetua në fund (fitorja), ngase në minutën e 61-të Salisu futi topin në rrjetën e portës së tij në një mënyrë të çuditshme, nga një situatë ku nuk ishte e pamundur që të evitohej një autogol i tillë, që i dërgoi shifrat në 3:1.

Tridhjetë minutat e fundit ishte thjesht një menaxhim i energjive dhe i rezultatit, me Tottenham që nuk u sforcua shumë në fushë.

Edhe pa u shpenzuar shumë mund dhe energji, vendësit gjeten golin e radhës me Kulusevskin, i cili ishte protagonisti kryesor në fushë gjatë ndeshjes së sotme. Ylli ukrainas shënoi nga afërsia në minutën e 63-të.

Deri në përfundim të ndeshjes nuk u vunë re shumë aksione të mirëfillta, ngase Tottenham qëllimshëm uli vëllimin e lojës.

Southampton ishte krejtësisht inekzistent në pjesën e dytë, duke mos arritur ta shënojë qoftë edhe një rast të rrezikshëm për portën e vendësve.

Krejt në fund, ndeshja përfundoi me rezultatin 4:1, duke bërë që Tottenham ta regjistrojë fitoren me shifrat më të thella deri më tani në kampionat, të cilat ia mundësojnë që të dalë në vend të parë.

Për ata që nuk kanë mundur ta shikojnë ndeshjen, kjo është përmbledhja e tërësishme.

Rezultatet në sfidat tjera

Në tërësi, në orarin tradicional të Premierligës, 16:00, u zhvilluan katër ndeshje. Përgjithësisht u respektuan pritshmëritë, pa u shënuar ndonjë befasi.

Newcastle shënoi një nisje të mirë të kampionatit, ku mposhti në terrenin e vet Nottinghamin me rezultat të pastër 2:0. Për vendësit golat i shënuar Schar 58' dhe Wilson 76'.

Rikthim të mirë në Premierligë bëri edhe Bournemouth. Ata mposhten skuadrën e drejtuar nga Steven Gerrard, Aston Villan, me rezultat 2:0. Në "Vitality Stadium" për vendësit golat i shënuan Lerma 3' dhe Moore 80'.

Në ndeshjen tjetër, asaj mes Leeds dhe Wolves, skuadra e Marsch me përmbysje doli me tri pikë të plota. Fillimisht, ishte Podence ai që dërgoi mysafirët në epërsi, duke shënuar në minutën e 6-të. Por, përmbysja e rezultatit erdhi falë golave të Rodrigo 24' dhe autogolit të Ait Nouri 74'.

Lajme të ngjashme