Tottenham Hotspur fiton me një lojtar më pak ndaj Luton Town, ‘Spursat’ e rrëmbejnë pozitën e parë në Premierligë - NACIONALE

Tottenham Hotspur fiton me një lojtar më pak ndaj Luton Town, ‘Spursat’ e rrëmbejnë pozitën e parë në Premierligë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tottenham Hotspur po e konfirmon ndeshje pas ndeshje se do të jenë një konkurrent serioz në garën për titull në ligën angleze. Sot të drejtuarit e Ange Postecouglut kanë fituar me rezultat 1:0 ndaj Luton Town, edhe pse luajtën gjysmën e ndeshjes me një lojtar më pak në fushë.

Tottenhami e ka nisur në mënyrë fantastike sezonin e ri në elitën angleze. Treguese për këtë është edhe pozita e parë që mbajnë tani pas kësaj fitore dhe në rast të një gabimi të Manchester Cityt ndaj Arsenalit, ata do ta mbajnë kreun e tabelës të paktën deri në kthimin nga ndeshjet ndërkombëtare.

Luton Town është një nga skuadrat e promovuara në Premierligë këtë sezon dhe deri më tani ka grumbulluar vetëm katër pikë.

‘Spurs’ e nisën mirë pjesën e parë me disa raste të mira të rrezikshme, ku portieri Kaminski ishte vendimtar në të paktën dy raste që skuadra e tij të shkonte në pushim pa pësuar gol.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, pra në minutat shtesë, Yves Bissouma, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, për t’u përjashtuar nga loja, pasi stimuloi në një rast që u pa qartazi se nuk kishte ndërhyrje të palejuar.

45 minutat e dyta ishin pak më të qetë, por vetëm shtatë minuta pas fillimit, Tottenham Hotspur doli në epërsi me golin e qendërmbrojtësit Van de Ven për 1:0.

Ky ishte goli i vetëm i takimit, me Tottenhamin që doli nga ky udhëtim i vështirë me tre pikë të plota, duke rrëmbyer përkohësisht vendin e parë në Premierligë.

Lajme të ngjashme