Toma do të vendosë së shpejti a t'i bashkohet Kosovës, pas bisedimeve me FFK-në
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka qëndruar, në një aheng të familjes Toma, ku është takuar me Bastienin dhe babain e tij Pjetër Toma. Një nga diskutimet në këtë takim ka qenë edhe mundësia që futbollisti të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar me babanë e 23-vjeçarit, i cili e ka konfirmuar se kanë biseduar mundësinë që djali i tij të mbrojë ngjyrat e Dardanëve.

“Ademi ke këtu, i bëmë disa foto dhe biseduan me Bastienin”, tha fillimisht Pjetër Toma.
Tutje ai shtoi se kushtet janë vendosur nga palët por që djalit të tij i mbetët të vendosë për të ardhmen, duke thënë se për momentin nuk ta të re asgjë.
“I folëm disa nga kushtet dhe tani Bastieni do të vendosë. Ende nuk ka asgjë risi në këtë drejtim”, tha Toma për Nacionalen.
Bastien Toma tani është 23-vjeçar dhe ka pasaportë zvicerane, të vendit ku ka lindur.

Karriera e tij mori kah të kundërt, kur pritej më së shumti që ai të rritej profesionalisht dhe të kalojë në ndonjë skuadër të madhe, ai tani nga kampionati i Zvicrës ka përfunduar në kampionatin portugez te skuadra Paços Ferreria, e cila në këtë sezon në 13 ndeshjet e para gjendet e fundit në tabelë.
Nacionale kishte biseduar edhe më herët me babanë e Bastienit, Pjetërin, i cili në atë kohë kishte thënë se i ka sugjeruar djalit të tij ta zgjedhë Kosovën para Zvicrës, sepse konkurrenca është më e vogël dhe mund ta gjejë vetën më shpejt.
“Unë për veti i kam thënë shko te Kosova sepse te Zvicra ka kandidatë të fortë, edhe ma shpejtë e gjen vetën te Kosova. Tash ka ardhur koha me vendos sepse edhe e ka moshën, tash i ka 23-vjet, koha e duhur me vendos për me luajt te një Kombëtare”, kishte thënë Pjetër Toma para shtatë muajsh.
Toma me shumë gjasë deri më tani ka pritur një ftesë nga Zvicra, pasi Agim Ademi që nga viti 2020 kishte thënë se lojtari ka zgjedhur Kosovën.
Kjo pritje nga helvetikët ishte edhe për shkak se lojtari me prejardhje nga Kosova, më parë kishte punuar nën urdhrat e Murat Yakin te Sion, që tani është përzgjedhës i Kombëtares së Zvicrës.
“Ky, Yakinin e njeh mirë (trajneri i Zvicrës), shkaku që në të kaluarën ka qenë trajner i Sionit, aty edhe kanë bashkëpunuar më herët. Ndoshta edhe mund të jetë ndihmë për të”, nënvizoi ai, duke lënë në dyshime zgjedhjen finale të të birit.”
Toma i huazuar nga Genk te Paços Ferreira, këtë sezon në Portugali ka zhvilluar tetë ndeshje dhe ende nuk ka gjetur golin apo asistin.
Huazimi i tij përfundon në verën e vitit 2023 dhe me shumë gjasë do të kthehet sërish te skuadra belge, Genk.
23-vjeçari pozitë të preferuar ka si mesfushor qendror, teksa mund të luajë edhe në fazën sulmuese edhe atë defensive.

Deri në vitin 2021, Toma ka kaluar zhvilluar ndeshje ndërkombëtare me Zvicrën, ku ka luajtur për të gjitha grupmoshat dhe në 46 paraqitje gjithsejti, ka shënuar tre gola.
Paraqitjet më të mira ai i ka pasur në U21 ku në kualifikimet për Evropian zhvilloi 11 ndeshje, ku shënoi një gol dhe bëri shtatë asistime.
