“I kam thënë shko te Kosova”- Babai tregon nëse Bastien Toma ka vendosur cilën kombëtare ta përfaqësojë
Mesfushori i talentuar i Genkut, Bastien Tona, i huazuar te St.Gallen, ende nuk ka vendosur se cilën kombëtare ta përfaqësojë, kështu ka deklaruar për Gazetën Nacionale babai i lojtarit, Pjetër Toma.
Nga Edonis Bytyqi
Megjithëse është këshilluar nga babai të zgjedhë Kosovën ku konkurrenca është shumë më e dobët, Toma ende ndihet i tunduar dhe joshur për t'iu bashkuar Zvicrës.
22-vjeçari që një kohë të gjatë ka qenë synim i madh i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kohë më parë president i saj, Agim Ademi, e kishte vlerësuar si punë të kryer ardhjen e mesfushorit në ekipin dardan.
“Jemi në bisedime me disa futbollistë, por që ende nuk i kemi përfunduar. Por që jeni televizion i ri po e zbuloj se Bastien Toma do të jetë futbollist i Kosovës”, ishte deklarata e Ademit me 20 gusht 2020 për “Kanal 10”.
Sidoqoftë, muaj kanë kaluar dhe Toma ende nuk është lojtar i Kosovës, derisa në intervista për mediumet zvicerane shpesh herë ka thënë që ëndërron të luajë për Zvicrën.
Por, gjërat mund të kenë ndryshuar, kështu se paku raportuan mediat lokale gjatë orëve të fundit, që pretendojnë se Bastien Toma ka vendosur të luajë për Kosovën dhe që shumë shpejtë do jetë prurja e radhës në kombëtaren e Kosovës.
Mirëpo, do të duhen edhe disa muaj për të parë nëse kjo situatë është e vërtet, ngase Toma ende nuk ka vendosur përfundimisht dhe këtë e ka konfirmuar për Gazetën Nacionale babai i lojtarit, Pjetër Toma.
Ai thotë se djali i tij është plotësisht i fokusuar te St.Gallen dhe nuk ka vendosur ende, sidomos pasi nuk i eci mbarë te Genk (qëndronte shumicën e ndeshjeve në stol dhe zhvillonte shumë pak minuta).
“Jo, Bastieni ende nuk ka vendosur përfundimisht, momentalisht është i fokusuar në klub. Vendimi iu vonua shkaku që nuk e gjeti formën e duhur te Gent, tani është i fokusuar te St.Gallen, edhe po ka ma shumë minuta”.
Tutje, Pjetëri tregon këshillën që i ka dhënë Bastienit, e cila është ta përfaqësojë atdheun e tij Kosovën.
“Unë për veti i kam thënë shko te Kosova sepse te Zvicra ka kandidatë të fortë, edhe ma shpejtë e gjen vetën te Kosova. Tash ka ardhur koha me vendos sepse edhe e ka moshën, tash i ka 23-vjet, koha e duhur me vendos për me luajt te një Kombëtare”.
Personi që mund të ndalojë ardhjen e Tomas te Kosova është përzgjedhësi i tanishëm i Zvicrës, Murat Yakin që e njeh mirë mesfushorin e talentuar, ngase në të kaluarën kanë bashkëpunuar te Sion.
“Ky, Yakinin e njeh mirë (trajneri i Zvicrës), shkaku që në të kaluarën ka qenë trajner i Sionit, aty edhe kanë bashkëpunuar më herët. Ndoshta edhe mund të jetë ndihmë për të”, nënvizoi ai, duke lënë në dyshime zgjedhjen finale të të birit.
Gjatë këtij edicioni, Bastien Toma te St.Gallen ka zhvilluar 10 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar një gol dhe regjistruar një asistim.
Hera e fundit kur Toma foli për zgjedhjen e mundshme mes Zvicrës dhe apo fanellës “Dardane”, ishte shtatori i vitit 2021, ku për mediumin “RhoneFM”, kishte thënë që ka pasur bisedime të shumta me FFK-në, por e preferonte kombëtaren helike.
“Zgjedhja nuk është bërë ende. Kohët e fundit kam pasur shumë bisedime me Kosovën. Por, unë ende do të doja të luaja për ekipin zviceran. Në fund, do të jetë një zgjedhje e zemrës. Më takon mua të marr vendimin dhe jo agjentët e mi ose familja ime sepse do të jem unë dhe vetëm unë në terren që do të mbroj një nga këto ekipe. Por, tani për tani, siç thashë më parë, gjëja më e rëndësishme është që unë mund të fitoj vendin tim në Genk”, ishte deklarata e Tomas para disa muajve.