Thiago Silva: Objektivi im është që të luaj deri në moshë 40-vjeçe - NACIONALE

Thiago Silva: Objektivi im është që të luaj deri në moshë 40-vjeçe

1 javë më parë

nga NACIONALE

Thiago Silva ka qenë ndër më të mirët në qarkullim gjatë dy dekadave të fundit. Te Milan, PSG dhe së voni te Chelsea – ai ka treguar cilësitë e tij të larta defansive. Sot, ai mbushi 38 vjet, por dëshiron të luajë akoma më shumë.

Përfaqësuesi brazilian, Silva, po luan sezonin e radhës si futbollist profesionist, ndonëse në moshë 38-vjeçe. Dhe, këtë në një klub me ambicie dhe skuadër të madhe siç është Chelsea.

Rrallë mund të shihesh mbrojtës teksa luajnë në këtë moshë në kampionatin ku zhvillohet ndeshjet me shpejtësinë dhe ritmin më të sofistikuar.

Thiago Silva falë kondicionit të tij të mirë fizik dhe pozicionimit tejet inteligjent që ka në qendërmbrojtje, po arrin të luajë titullar me bluzën e londinezëve edhe në këtë moshë.

Dëshira për të luajtur deri në moshë 40-vjeçe

Thiago Silva ka lënë të hapur mundësinë që të luajë deri në moshë 40-vjeçe. Madje, këtë ia ka vënë synim vetes dhe e ka deklaruar hapur gjatë një prononcimi të fundit.

“Kjo do të varet nga kjo sezon dhe nga ajo se çfarë do të ndodhë në Botëror. Përveç tjerash, do të varet edhe nga vazhdimi i kontratës. Mirëpo, po – mund ta konfirmoj se objektivi im është që të luaj deri në moshë 40-vjeçe”
, u shpreh ai.

Thiago Silva ka edhe një vit tjetër kontratë të vlefshme me Chelsean dhe akoma nuk dihet se a do t’i propozohet vazhdimi i saj, edhe pse niveli i paraqitjeve të tij, pavarësisht moshës, qëndron stabil, pa lëkundje të mëdha.

Kështu, i palëkundur nga formacioni titullar mbrojtësi brazilian ka qenë deri në këtë periudhë të kampionatit për Chelseat. Bashkëlojtari i tij në qendër të mbrojtjes, Koulibaly, ka pranuar më shumë kritika në këtë fillim të sezonit sesa vetë Silva.

Një karrierë prej kampioni

Me rastin e shënimit të ditëlindjes, edhe ish-klubet e tij evropiane, si Milan dhe PSG, e uruan. Vetë mbrojtësit e sotëm të këtyre klubeve të sipërpërmendura heraherës e thonë troç se frymëzohen nga Silva. Kështu të paktën është thënë nga Kalulu dhe të tjerët.

Një gjë e tillë konfirmon atë se Thiago Silva kudo që ka luajtur, ka bërë trajnerët respektivë, si dhe vetë tifozët e atyre skuadrave për vete. Një lidership, personalitet dhe profesionalizëm i rrallë është treguar nga ai konstantshmërisht.

Në futbollin evropian hapat e parë të mëdhenj i shënoi pikërisht te Milani. Atje sa i përket trofeve të rëndësishëm, arriti ta fitojë titullin kampion në Serie A. Me PSG fitoi shumë trofe të brendshëm, por jo edhe Ligën e Kampionëve. Për fatin e tij të mirë, këtë të fundit arriti ta shijojë me Chelsean, në finalen e 2021-ës, kur u mposht Manchester City me rezultat 1:0, përmes golit të Havertz.

I vetmi trofe që i mungon, ai më i vlefshmi – është Kupa e Botës me Brazilin. Ekipi kombëtar brazilian llogaritet ndër favoritët e mëdhenj në Botërorin e këtij dimri. Andaj, Silva para pensionimit do të mundohet që ta ngrisë lart edhe atë trofe, për ta shënuar kështu një karrierë përrallore si futbollist.

Lajme të ngjashme