Tenistja ukrainase nuk pranon t’ia japë dorën bjelloruses Azarenka, shkak lufta në Ukrainë
Tenistja nga Ukraina, Marta Kostyuk, ka thënë se nuk do të ishte e drejtë për të ta përshëndeste tenisten bjelloruse Victoria Azarenka dorë për dore, pas përballjes që patën në turneun grand slam US Open.
Kostyuk, e cila pësoi humbje 6-2 dhe 6-3, tregoi se i kishte shkruar mesazh Azarenkës paraprakisht për t’i thënë se nuk do ta përshëndeste dorë për dore siç e do zakoni.
Ato i prekën reketët e tyre te rrjeta pas përfundimit të meçit.

Bjellorusia është aleat i rëndësishëm i Rusisë në luftë kundër Ukrainës.
“Të gjithë po përpiqen të jenë tejet diplomatikë për këtë gjë. Atdheu im po vritet ditë për ditë”, tha Kostyuk.
Kostyuk, 20-vjeçare, e kritikoi përfshirjen e planifikuar të Azarenkës në një ngjarje bamirësie për Ukrainën që u mbajt në Nju Jork javën e kaluar dhe bjellorusja ishte tërhequr më vonë.

Azarenka tha se nuk u çudit nga vendimi i Kostyukut për të mos e përshëndetur dorë për dore, pas përballjes mes vete në rrethin e dytë në Flushing Meadows.
“Nuk mendoj se është e rëndësishme ta bëjmë të madhe këtë gjë. Unë gjithmonë ua zgjas dorën kundërshtareve të mia”, tha Azarenka.
Kostyuk u lind në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, i cili ka qenë cak i sulmeve ruse që prej nisjes së pushtimit në muajin shkurt.
Ajo ka qenë njëra prej tenisteve më të zëshme kundër luftës, duke vënë në pah ndikimin shkatërrues të veprimeve ruse ndaj ukrainasve.
Në prill, ajo ishte njëra nga disa lojtarët ukrainas që bënë thirrje që lojtarët rusë dhe bjellorusë të pezullohen nga turnet e ATP dhe WTA, nëse nuk e dënojnë luftën publikisht.
“Ndiej se nuk e njoh asnjë person i cili e dënoi luftën publikisht, dhe veprimet e qeverisë së tyre. Mendoj se nuk mund ta përkrah këtë”, kishte thënë Kostyuk.
