Ten Hag e thotë zëshëm: Kemi nevojë për përforcime të reja
Trajneri i Manchester United, Ten Hag, edhe një herë e ka dhënë zëshëm se skuadra ka nevojë për përforcime të reja. Kërkesa e tij kryesore ka të bëjë me angazhimin e një sulmuesi të ri pas shkëputjes të kontratës së Ronaldos.
Manchester United e ka nisur me fitore rikthimin nga pauza e gjatë e Kupës së Botës. Për trajnerin holandez, Ten Hag, akoma gjërat nuk mund të thuhet që janë në vendin e vet, pasi ekipi ka nevojë për energji të reja.
Andaj edhe kërkon përgjigje konkrete nga drejtuesit e skuadrës në afatin kalimtar dimëror. Angazhimi i një sulmuesi është kryeprioriteti i “Djajve të Kuq”.
“Gjithmonë është e vështirë të operohet në tregun e lojtarëve. Veçanërisht në afatin kalimtar dimëror sulmuesit kushtojnë shumë”, tha ai.
Ai tha se duhet pasur kujdes: “Duhen vendosur disa kontura. Jemi duke e bërë. Duhet të jemi kreativë për t’i futur brenda skuadrës lojtarët e duhur, që i përshtatën ekuilibrit të lojës. Është një periudhë e gjatë dhe afati kalimtar akoma nuk ka nisur.”
Ten Hag vuri theksin te periudha me kalendarin e dendur të ndeshjeve që do të jetë nga tani e tutje, me ç’rast i duhen edhe energji të reja.
“Duam të vazhdojmë të luajmë në të gjitha kompeticionet ku marrim pjesë, edhe pse është një garë e vështirë në të gjitha frontet. Kështu që, kemi nevojë për lojtarë të rinj. Na duhen lojtarë të mirë e jo veç numrat”, përfundoi ai.
Manchester United ka shpenzuar një shumë rekord parash për t’ia përmbushur kërkesat Ten Hagit gjatë afatit kalimtar veror. “Djajtë e Kuq” shpenzuan 220 milionë funte. Mirëpo, në janar duket se ai nuk do ta ketë një buxhet as përafërsisht të njëjtë.
