Të gjithë e duan Muriqin në Mallorca, Maffeo: Është shumë i rëndësishëm për ne
Pablo Maffeo konsiderohet njëri ndër mbrojtësit më në formë nga shtypi spanjoll. Mbrojtësi i Mallorcas ka lavdëruar tej mase sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, njëherësh bashkëlojtarin e tij, Vedat Muriqin.
Skuadrën ishullore spanjolle të Mallorcas e pret një sfidë e vështirë nesër mbrëma kundër Barcelonës. Edhe pse mbijetesa erdhi me shumë sakrifica, në këtë fillim sezoni gjërat po shkojnë në kahjen e duhur.
Njëri prej më meritorëve për këtë sukses të skuadrës është edhe sulmuesi dardan, Muriqi. Për këtë gjë është i vetëdijshëm edhe vetë Maffeo, i cili në një intervistë dhënë prestigjiozes spanjolle “Sport” nuk ka lënë pa vurë theksin te pesha që ka sulmuesi kosovar në ecurinë e tyre.
Mallorca pas gjashtë xhirove të luajtura në kampionat ka 8 pikë të grumbulluara dhe është shfaqur një skuadër shumë kompakte, anipse nuk ka një fond të pasur të lojtarëve.

Sa është i rëndësishëm Muriqi sipas mbrojtësit spanjoll?
Gjatë intervistës, në një moment të caktuar, mbrojtësi 25-vjeç spanjoll u pyet drejtpërdrejt për Vedat Muriqin dhe rëndësinë që ka në ekip. Ai pa hezituar dha një mendim që flet shumë për sulmuesin kosovar.
“Muriqi është mbi të gjitha një personazh i mirë. Ai është shumë i rëndësishëm për ne qëkur ka ardhur këtu”, nënvizoi Maffeo.
Pas një periudhe të vështirë që kishte hasur për dy vite te Lazio, Vedat Muriqi ka gjetur edhe vetëbesimin që i mungonte prej kohës sa ishte futbollist i Fenerbahçes.

Se sa me ndikim është brenda grupit të lojtarëve, tregon më së miri prononcimi në vazhdim i Maffeos: “Ai duket kaq shtatlartë dhe i fuqishëm, por në fund të ditës është shumë i këndshëm. Gjithmonë të shprehë fjalë të mira. Asnjëherë nuk e kam parë nervoz.”
Mallorca këmbënguli që ta blinte kartonin e Muriqit gjatë afatit kalimtar veror, anipse negociatat ishin tejet të vështira me Lazion.
Pas dështimit të marrëveshjes me Club Brugge, Lazio filloi ta zbusë retorikën e vet karshi Mallorcas, duke bërë edhe zbritje në çmim nga 12 milionë sa kërkonte dy muaj më herët, në 9,3 milionë euro sa vendosi ta pranojë ofertën e klubit spanjoll.
Për këtë marrëveshje janë shfaqur të gjitha palët të lumtura. Ishte zgjidhja që i kënaqte të gjithë.
Tani, në gjashtë ndeshje të luajtura në kampionat, sulmuesi “dardan” ka shënuar 3 gola. Ai ishte në formë të përkryer edhe në grumbullimin e Kombëtares së Kosovës, ku shënoi një gol në Belfast kundër Irlandës Veriore në humbjen 2:1, si dhe shënoi dy gola tjera kundër Qipros në fitoren bindëse 5:1.

Vedat Muriqi me fanellën e Kosovës ka një mesatare të golave shumë të mirë, ku ka shënuar 20 gola në 41 paraqitje. Po flasim për një mesatare thuajse empirike prej një goli në dy ndeshje.
Sidoqoftë, forma që po kalon Muriqi nga janari, kur fillimisht për gjashtë muajt e parë të vitit ishte i huazuar te Mallorca e më pas klubi spanjoll siguroi kartonin e tij gjatë verës – ka bërë që mediet më të mëdha italiane ta pranojnë se, megjithatë, përkundër kritikave dhe kryqëzimeve të mëdha me të cilat e kishin shigjetuar – ai posedon cilësi dhe nuhatje për gol.
Të martën, gjatë emisionit të mbrëmjes në “Sky Sport Italia”, gazetari italian me përvojë, Davide Pozzi, shprehi mendimin e tij rreth formës së Muriqit.
“Po shënon gola në Spanjë dhe po shënon goxha gola me Kombëtaren e Kosovës. Aq më shumë, duke shënuar edhe gola të bukura. Ato gola nuk arrinte t’i shënonte në Serie A. Ky aspekt është goxha befasues”, theksoi ai.

