Taksistit kosovar në Gjermani i del në ndihmë Matthäus, i jep shpërblim të madh - NACIONALE

Taksistit kosovar në Gjermani i del në ndihmë Matthäus, i jep shpërblim të madh

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Taksisti kosovar me rezidencë në Gjermani, Hazir Stublla, mori jehonë pasi u ankua se me t'ia kthyer portofolin Manuel Neurit, nuk fitoi ndonjë gjë në kompensim.

Kjo deklaratë e tij shkaktoi një debat të pafund, jo vetëm brenda shtetit gjerman, por kudo në mediet botërore. Meqë gjithçka u bë virale, kjo temë nuk mund të përfundonte kaq lehtë.

Kujtojmë se ai udhëtoi plot 120 kilometra për t’ia dorëzuar atë ashtu siç e gjeti, por mbeti tejet i zhgënjyer me shpërblimin që e mori nga një futbollist multimilioner.

Për t'ia shpaguar disi gjestin bujar taksistit kosovar, u përkujdes ish legjenda gjermane e futbollit, Matthäus.

Matthäus i ofron një shpërblim

Vetëm një fanellë e mori nga Neuer, kur këtij të fundit ia dorëzoi portofolin. Për më tepër, edhe ajo nuk ishte e nënshkruar nga portieri i mirënjohur gjerman.

Edhe kjo ishte një pjesë e arsyes se përse taksisti kosovar mbeti aq shumë i zhgënjyer. Mirëpo, në fund ai buzëqeshi, pasi në dyert e tij trokiti legjenda gjermane e futbollit, Matthäus.

E përditshmja më e madhe gjermane, Bild, shkruan se Matthäus ia ka blerë për një shumë të madhe prej 1000 frangash fanellën e Neurit.

Në një prononcim për Bild, Haziri tregoi se gjithmonë ka pasur admirim për Matthäus si lojtar, por tani e konsideron edhe si hero të tij. Me ato para ai dëshiron që t'i shëtisë fëmijët e tij dhe ta rivendosë në gjendje optimale makinën e vet.

Matthäus tregon pse vendosi ta ndihmojë taksistin kosovar

Për Matthäus gjesti që bëri ishte më shumë se i përligjur, pasi e di mirë se çfarë do të thotë ta humbasësh portofolin.

"Nga përvoja që kam e di ndjesinë e të humburit portofolin. Çështja është te gjesti që pasoi (taksisti kosovar që ia ktheu Neurit portofolin në gjendjen e mëparshme). E konsideroj përkushtimin e Hazirit edhe më të çmuar për t'i shmangur çfarëdo problemi Neurit"
, ka thënë Matthäus.

Matthäus edhe në të kaluarën është karakterizuar si person shumë i ndjeshëm. Të paktën kësisoj portretizoj nga mediet gjermane. Andaj, edhe veprimi i tij nuk përbën ndonjë habi të madhe.

Por, si u bë storia e taksistit kosovar aq e famshme?

Haziri, taksist në Munih, e mban në mend mëngjesin e hershëm të asaj dite kur e kishte marrë Neuerin në taksin e vet.

“Po qëndroja në Odeonsplatz. Manuel Neuer u fut në taksi me një person tjetër dhe e mbajti derën hapur për të. E njoha menjëherë por nuk fola me të”
, tha Haziri për gazetën gjermane Bild.

Pas udhëtimit, duke e pastruar veturën, Haziri e vërejti se Neueri e kishte harruar kuletën e vet të lëkurës bashkë me para kesh dhe dokumente personale.

“Emri dhe adresa e Neuerit ishin në letërnjoftimin e tij”
, tha Haziri.

Përveç kartelave bankare, në kuletën e tij ai i kishte gjetur edhe rreth 800 euro kesh. Për Neuerin, humbja e kartelave bankare dhe e letërnjoftimit do kishin qenë telashi kryesor.

Prandaj, Haziri bëri gjithçka që mundi për t’ia kthyer kuletën pronarit. Haziri kishte shkuar te shtëpia dhe të vila e Neuerit në Tehernsee për t’ia dorëzuar kuletën. Por nuk e kishte gjetur futbollistin aty por kuletën ia kishte dorëzuar një konsulenti të tij.

Sipas Bild, Haziri udhëtoi në një rrugë për në shtëpinë e Neuerit që me taksi do të kishte kushtuar rreth 400 euro.
Pas dy javëve, portieri gjerman 36-vjeçar e falënderoi më në fund taksistin shqiptar me një fanellë të nënshkruar.

Por kjo s’e ka mahnitur aspak Hazirin, i cili e quan qesharak shpërblimin që e mori nga Neueri.

“Ky shpërblim është tallje”, tha Haziri për Bild.

“Unë i kam katër fëmijë. Nuk mund të bëj asgjë me këtë fanellë”
, u ankua ai.

Lajme të ngjashme