Sylvinho flet para përballjes së Shqipërisë me Kilin, thotë se nuk po mendon për listën finale të Evropianit
Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë dy miqësoret e fundit para udhëtimit në Gjermani për EURO 2024, por trajneri Sylvinho thotë se mendja e tij është te këto dy ndeshje dhe jo te lista finale për Evropian.
Shqipëria nesër përballet me Kilin në Parma të Italisë, ndërsa tre ditë më vonë luan ndaj Suedisë.

"Lojtarët e dinë që jemi afër Evropianit, ama nuk mendojmë për Evropianin. Ne jemi të grumbulluar prej katër ditësh, por flasim vetëm për Kilin dhe Suedinë," tha fillimisht braziliani.
Ndeshjet e marsit nuk i cilësoi thjesht si miqësore, pasi Kilin e konsideron skuadër të fortë, që ka luajtur në shumë botërore dhe për të është speciale pasi përballet me një skuadër ameriko-latine.
"Nuk janë vetëm miqësore, Kili ka një skuadër të fortë, kanë shumë emra. Ata kanë luajtur në 9 Kupa Bote, kanë kaluar të paktën tri herë në çerekfinalet e Botërorit. Një skuadër që është përballur me Kombëtaret e mëdha, janë mësuar me sfida të tilla. Ndjesi e bukur si amerikano-latin që jam kjo përballje me ta. Do të jetë kënaqësi të luajmë këtë ndeshje në një stadium të mbushur plot me tifozë shqiptarë. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur."
Sipas Sylvinhos, Rei Manaj dhe Armando Broja mund të luajnë në formacion së bashku, teksa ka disa fjalë edhe për lojtarët që nuk janë ftuar.
"Është një moment i veçantë dhe i bukur për ne. Manaj dhe Hoxha për herë të parë me ne, pothuajse hera e dytë për Brojën. Ka ardhur edhe Sherri, i cili ka qenë edhe njëherë tjetër, por nuk ka luajtur."
Në pyetjen se a mund të luajnë Manaj dhe Broja së bashku, Sylvinho tha: "Po, në futboll është gjithçka e mundur. Broja dhe Manaj kanë karakteristika të ndryshme, do t’i vlerësojmë të dy çdo ditë, por edhe të tjerët. Të gjithë. Nuk është problem për mua t’i aktivizoj të dy bashkë. Gjithçka mund të ndodhë në futboll."
Ai shtoi se askush në skuadër nuk po mendon për listën finale.
"Në këto momente, askush nga ne nuk mendon për listën finale. Kili dhe Suedia janë skuadra të forta, mendojmë vetëm për ta. Nuk është momenti për listën finale të Evropianit. Është momenti të vlerësojmë të gjithë futbollistët, në sensin pozitiv. Edhe ata që nuk janë i kemi në konsideratë. Mujën, Dakun, Gjasulën, të gjithë. Nuk e mbaj mendjen te lista, është momenti të mendojmë për Kilin dhe Suedinë."
Tutje vazhdoi se puna e tij si asistent te Brazili e ndihmoi shumë për punën e sotme dhe se detyra e tij është të analizojë formën e lojtarëve.
"Pata një eksperiencë si asistent i Tites te kombëtarja Brazilit, zhvilluam një Botëror. Eksperiencë shumë e bukur. Ndikoi që të merrja drejtimin e Shqipërisë. Dera e Kombëtares është e hapur. Në klub ke 23-24-25 lojtarë, në Kombëtare janë shumë, monitorojmë shumë lojtarë. Unë vëzhgoj dhe analizoj. Vëzhgoj cili luan disa minuta, pak apo fare. Vëzhgoj se cili luan mirë, kjo është detyra ime”, theksoi tekniku brazilian.