Sylvinho e merr 19-vjeçarin Fetai në ekipin A për dy ndeshjet e tetorit
Përzgjedhësi i Shqipërisë Sylvinho e ka shtuar edhe mesfushorin Feta Fetai në ekipin A.
“Kuq e Zinjtë” po përgatiten për dy ndeshjet e kombëtares ndaj Çekisë, respektivisht Gjeorgjisë, ndërsa ka bërë pak ndryshime në listë.
FSHF-ja ka njoftuar se Fetai do t’i bashkohet ekipit në stërvtijen e pasditës dhe do të jetë i gatshëm për dy përballjet e tetorit.
Ndërkohë në anën tjetër, te Shqipëria U21 në vendin e Fetait e ka zënë vendin mesfushori i talentuar i Tiranës, Hajrulla Tola.
“Lista e Kombëtares A pëson sërish ndryshime. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se trajneri Silvinjo ka vendosur të afrojë në skuadër mesfushorin e Shpresave, Feta Fetai. Lojtari do të bashkohet me ekipin në stërvitjen e pasdites dhe do të jetë pjesë e skuadrës për dy ndeshjet e Kombëtares ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë.
Ndryshime ka edhe në listën e ekipit Kombëtar U-21. Trajneri Alban Bushi ka vendosur të thërrasë në grumbullim mesfushorin e Tiranës, Hajrulla Tola si edhe portierin e Vorës, Arbër Jata. Portierët Simon Simoni dhe Endri Dema kanë ngarkesë në muskuj dhe për pasojë i duhen dy ditë të plota rikuperimi”, njofton FSHF-ja.
Shqipëria më 11 tetor do të përballet me Çekinë, kurse tre ditë më vonë udhëton për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë.