Superliga: Të gjithë sytë nga 'Fadil Vokrri' sot - NACIONALE

Superliga: Të gjithë sytë nga 'Fadil Vokrri' sot

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Xhiroja e katërt në Superligë sot vazhdon me tri ndeshjet e radhës, pas atyre që u zhvilluan ditën e djeshme.

Të shtunën, Drita demoloi Llapin 4-0 në një paraqitje absolutisht dominuese të "Intelektualëve".

Dy gola nga Besnik Krasniqi në minutat 10', 24', të dy nga penalltia, i dhanë epërsinë Dritës, derisa Almir Kryeziu realizoi golin e tretë në përfundim të pjesës së parë.

Goditjen përfundimtare Llapit ia dha Marko Simonovski në minutën e 57.

Në përballjen tjetër, Malisheva arriti një fitore të vështirë 3-2 si mysafire e Trepçës 89 në "Riza Lushta".

Medin Bajrami realizoi golin e parë për malishevasit në minutën e 25-të, para se Christian Mba të barazonte.

Gavazaj ishte ai që riktheu e thelloi epërsinë e Malishevës me dy gola për 1-3, para se një minutë para fundit të shënonte Dushi për 3-2.

Krejt vëmendja në 'Fadil Vokrri' sot

Vëmendja kryesore e përballjes së sotme do të jetë në "Fadil Vokrri", padyshim, te përballja mes Prishtinës dhe Ballkanit, e cila fillon nga ora 20:00.

Të dy skuadrat janë konkurrente të forta për titull këtë edicion, nëse marrim parasysh ndeshjet e para dhe paraqitjet e tyre përgjatë këtij sezoni.

Prishtina ka regjistruar dy fitore dhe një barazim nga tri ndeshjet e fundit dhe zë pozitën e tretë në tabelë me shtatë pikë.

Në anën tjetër, Ballkani, jashtëzakonisht i inspiruar pasi shkroi historinë duke u bërë skuadra e parë kosovare që do marrë pjesë në një kompeticion evropian, ka luajtur vetëm dy ndeshje këtë edicion në Superligë.

Kjo për shkak të angazhimit në ndeshjet eleminatore të Ligës së Konferencës, ku do të marrë pjesë në fazën e grupeve këtë fushatë.

Sidoqoftë, nga dy ndeshjet e para, suharekasit kanë regjistruar dy fitore dhe, me gjashtë pikë, zënë pozitën e katërt në tabelë.

Para ndeshjes, ka folur mbrojtësi i Ballkanit për uebfaqen zyrtare të klubit, duke thënë:

"Së pari, dua t'i falenderoj 'xhebrailat' për mbështetjen që na kanë dhënë gjatë gjithë kohës.

"Ne jemi të gatshëm për ndeshjen e radhës kundër Prishtinës, sepse këtu fillon lufta për të mbrojtur atë që fituam me shumë mund vitin e kaluar.

"Jemi të motivuar maksimalisht për fitore të dielën".

Në anën tjetër, te Prishtina ka folur Endrit Krasniqi, duke u shprehur për faqen e klubit kryeqytetas:

Rëndësia e ndeshjes – Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat. Ne jemi të koncentruar në ekipin tonë në mënyrë që ta vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive.

Përgatitjet – Gjatë javës kemi punuar dhe stërvitur shumë mirë. Atmosfera është shumë e mirë si dhe grupi është shumë i bashkuar duke filluar nga drejtuesit, stafi dhe ne futbollistët.

Përparësia e Prishtinës ndaj Ballkanit – Konsideroj se përparësi e jona është se zhvillohet ndeshja e parë si vendas në këtë edicion në stadiumin “Fadil Vokrri” që për neve është motiv të luajmë në shtëpinë tonë. Besoj se tifozët tanë “Plisat” dhe qytetarët e Prishtinës do të na përkrahin maksimalisht që atë përkrahje të kthejmë në energji pozitive dhe në fund shpresoj se do të dalim me pikë të plota.

Në program për sot, e dielë, janë edhe dy ndeshje të tjera të cilat fillojnë nga ora 15:00.

Drenica-Ferizaj dhe Dukagjini-Gjillani janë dy përballjet në fjalë.

Kujtojmë se pas katër xhirove, Gjilani kryeson në tabelë me 10 pikë, i përcjellur nga Drita me tetë dhe Prishtina me shtatë, por kryeqytetasit kanë një ndeshje më pak të luajtur.

Lajme të ngjashme