Superliga: Munishi debuton në stolin e Prishtinës me fitore, Gjilani triumfon por Drita ndalet - NACIONALE

Superliga: Munishi debuton në stolin e Prishtinës me fitore, Gjilani triumfon por Drita ndalet

4 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Sot janë zhvilluar ndeshjet e para të Superligës së Kosovës, ku janë zhvilluar tre takime. Prishtina në udhëtim te Dukagjini arriti të fitojë me rezultat 2:1, Gjilani si vendase fitoi ndaj Ferizajt 3:2, ndërsa Drita në udhëtim te Trepça 89 u ndal me barazim 2:2.

Dukagjini – Prishtina

Epoka e Ismet Munishit ka filluar mirë me kryeqytetasit, skuadra e tij arriti ta mposhtë Dukagjinin me rezultat 2:1.

Të dy golat e parë të takimit u shënuan në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë Prishtina realizoi krejt në fund për ta fituar takimin e parë në elitën kosovare.

Fillimisht ishte mesfushori fantastik, Endrit Kransiqi, i cili kaloi në epërsi Prishtinën fal një goli të mrekullueshëm nga gjuajtja e lirë në minutën e 29-të, pastaj Ahmed Januzi barazoi gjithçka në minutën e 42-të.

Muhamed Useini i ardhur nga Gjilani në këtë afat kalimtar shënoi për rezultatin 2:1, në minutën e 85-të të takimit, që ishte goli i rezultatit përfundimtar.

Gjilani – Ferizaj

Skuadra e Zekirja Ramadanit filloi kampanjën me fitore, ndonëse kjo erdhi krejt në minutat e fundit të takimit.

Fillimisht ishte Gjilani që kaloi në epërsi me anë të Mevlan Zekës në minutën e 33-të, por një minutë para se të përfundonte pjesa e parë ishte skuadra e Arbnor Morinës ajo që barazoi gjithçka me anë të Ramush Ramadanit.

Me rezultatin 1:1 përfundoi pjesa e parë e takimit në stadiumin e qytetit në Gjilan.

Pjesa e dytë filloi furishëm për ferizajasit. Ishte Sulmuesi me përvojë Betim Haxhimusa i cili shënoi golin e dytë të Ferizajt me asistin e Astrit Fazliut, në minutën e 49-të. Të dy lojtarët që morën pjesë te goli, janë lojtarë që kanë ardhur në këtë afat kalimtar veror.

Por dy gola të shpejtë nga i sapo transferuari Teo Solomon, kthyen gëzimin në kampin gjilanas. Fillimisht shënoi në minutën e 83-të për barazimin e rezultatit, e pastaj në minuat shtesë shënoi për fitoren me rezultat 3:2.

Trepça 89 – Drita

Skuadra e Shpëtim Idrizit, Trepça 89 arriti të rrëmbejë një pikë shumë të vlefshme në xhiron hapëse të Superligës, ndaj një nga pretendueseve kryesor për ta fituar titullin sivjet.

Mitrovicasit e kthyer në ligë vetëm pas një viti qëndrim në Ligën e Parë, realizuan dy gola të njëpasnjëshëm, për ta dërguar skuadrën në pushim me rezultatin 2:0.

Të dy golat i shënoi Christian Mba, fillimisht në minutën e 36-të e pastaj edhe në minutën e 39-të.

Pjesa e dytë i takoi skuadrës së Ardian Nuhiut. Drita me çdo kusht e dëshiroi të paktën një pikë dhe këtë e arriti krejt në fund me anë të një penalltie.

Fillimisht epërsinë e ngushtoi me anë të Drilon Islamit në minutën e 70-të, pastaj i riu Ardit Tahiri realizoi nga pika e bardhë në minutën e 88-të, për rezultatin përfundimtar 2:2.

Lajme të ngjashme