Superliga e Kosovës: Drita e Gjilani në aksion sot, përballen me Malishevën e Llapin - NACIONALE

Superliga e Kosovës: Drita e Gjilani në aksion sot, përballen me Malishevën e Llapin

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Sot gjatë mesditës luhet java e tetë e Superligës së Kosovës, ku përballen Gjilani – Llapi si kryendeshja e javës, teksa Drita udhëton në Malishevë me synimin për ta ruajtur pozitën e parë.

Të dy skuadrat nga Gjilani prijnë në renditje pas shtatë xhirove të zhvilluara me nga 14 pikë, por SC Gjilani ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Fokusi te ndeshja Gjilani – Llapi

Për shumë kë, kjo ndeshje cilësohet si kryendeshja e javës, me Gjilanin që ka një formë të mirë të vazhdueshme që nga sezoni i kaluar ku siguroi ndeshjet evropiane përmes renditjes, gjithashtu edhe Llapi si fituese e Kupës së Kosovës në dy vitet e fundit, me ç’ rast edhe kjo e fundit luajti ndeshjet e saj në kualifikimet për Ligë të Konferencës.

Në 21 ndeshjet e fundit të zhvilluara ndërmjet dy skuadrave që nga tetori i vitit 2016, rezultat më të mirë ka skuadra e Tahir Batatinës, ku ka fituar në 10 raste, ndërsa Gjilani ka fituar në gjashtë tjera dhe pesë ndeshje kanë përfunduar pa fitues.

Sa i përket këtij sezoni, llapjanët janë në formë të tmerrshme, e gjendur në tabelën në pozitën e parafundit me vetëm pesë pikë të grumbulluara në këtë sezon pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara, me një fitore, dy barazime e tre humbje dhe më keq se ata janë vetëm Dukagjini i Klinës me dy pikë nga shtatë ndeshje.

Gjilani e ka nisur mirë kampionatin e sivjetshëm, ndonëse humbi në mes javë ndaj skuadrës së qytetit të njëjtë, Drita, me një rezultat të thellë, duke ia shkaktuar humbjen e parë të sezonit.

Skifterët në shtatë ndeshje të zhvilluara kanë grumbulluar 14 pikë, me katër fitore, dy barazime e një humbje.

Në anën tjetër në Liman Gega, zhvillohet një tjetër ndeshje, Malisheva e pret nënkampionin e Kosovës, Dritën.

Malishevasit hyjnë në këtë ndeshje nga pozita e gjashtë me shtatë pikë të grumbulluara nga gjashtë ndeshje, një fillim jo aq i keq për skuadrën por që e mjaftueshme për drejtuesit që të shkarkojnë trajnerin e deri tanishëm, Arsim Thaqin.

Drita, një nga skuadrat më të organizuara në elitën e futbollit, duke qenë kampion e nënkampione në vitet e fundit, ka nisur shumë mirë edhe kampanjën e sivjetshme, duke qenë e vetmja skuadër në Superligë pa humbje. Ata kanë 14 pikë të grumbulluara në gjashtë ndeshje, katër fitore dhe dy barazime, duke prirë në tabelë.

Marrë parasysh se Malisheva është promovuar në Superligë vetëm në edicionin e kaluar, këto dy skuadra kanë zhvilluar vetëm katër takime.

Drita ka bilanc 100% të fitoreve në këto kate ndeshje dhe ka shënuar të paktën një gol në secilën prej tyre, teksa fitorja më e thellë është ajo e fundit e 23 prillit me rezultat 3:1.

Renditja momentale

Ndeshjet tjera të javës së tetë të Superligës së Kosovës, e që janë tri, zhvillohen të dielën me orarin e njëjtë nga 15:00 dhe ato janë: Drenica – Prishtina; Ferizaj – Ballkani dhe Trepça 89 – Dukagjini.

Lajme të ngjashme