Superkompjuteri e parashikon fituesin e Ligës së Kampionëve, Interi në mesin e top 3 favoritëve
Liga e Kampionëve kthehet sot, me dy ndeshjet e para që zhvillohen me fillim nga ora 21:00. Superkompjuteri si çdo vit ka parashikuar fituesin e sezonit 2023/24, ku më së shumt gjasa sipas tij ka Manchester City, Real Madridi dhe Interi.
Platforma e statistikave në futboll, OPTA, ka stimuluar fazën e eliminimit direkt në 10 mijë raste, për të ardhur deri te këto rezultate.
Manchester City që është kampion në fuqi, është favorit bindshëm ndaj të tjerave, ku shanset për ta fituar sërish janë 32.1%.
Qytetarët pasohen nga Real Madridi, 14-herë Kampioni i Evropës, me 15.4%, ndërsa në top3 është Interi me 11.6%.
Natyrisht zikaltrit janë pjesë e top treshës, për shkak të rezultateve që arriti vitin e kaluar në këtë garë dhe formës shumë të mirë që po kalojnë këtë sezon.
Bayern Munich renditet e katërta me 10.1%, ndërsa tifozët e Arsenalit mund të marrin zemër kur të shohin se skuadra e tyre është në mesin e top5 favoritëve për të triumfuar në Ligë të Kampionëve, me 8.4% shanse sipas Superkompjuterit.
Paris Saint-Germain ka 6.4% shanse për të fituar finalen, me Barcelonën që pason në vendin e shtatë me 3.4% dhe Borussia Dortmund e teta me 3%.

Dy ndeshjet e para të 1/8 së finales që zhvillohen sot janë mes Kobenhavn e Manchester Cityt dhe Leipzig e Real Madrid, me ndeshjet kthyese të parapara më 6 mars.