Sulmuesi norvegjez: Zbrita shkallëve nga kati i 14-të, ndieja se ndërtesa po shembej mbi mua
Sulmuesi norvegjez i Adana Demirspor, Fredrik Gulbrandsen, e ka ndarë përvojën e tmerrshme nga tërmeti vdekjeprurës në Turqi me ndjekësit e vet në rrjetet sociale
Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh të hënën herët në mëngjes, duke i vrarë mbi 11 mijë njerëz në të dy vendet.
Gulbrandsen kishte qenë në gjumë në banesën e tij, që ndodhej në katin e parafundit të një ndërtesë 15-katëshe në Adana, kur tërmeti e kishte goditur këtë qytet në orët e hershme të mëngjesit të hënën.
Ai e ka ndarë përvojën e tmerrshme me ndjekësit e vet në rrjetet sociale, ku tregoi: “Përjetova diçka të pabesueshme. E pamundur ta shpjegoj sa shumë u frikësova, sa shumë u tmerrova. Isha në gjumë dhe forca e dridhjeve nga tërmeti më zgjoi. Dridhjet shkonin duke u forcuar.”

Ai shtoi: “Sapo fillova të dalë nga shtrati, nuk isha në gjendje të qëndroja në këmbë dhe rashë nga shtrati. Doja të çohesha në këmbë, por nuk arrija. Pasi u ndalën dridhjet, reagova me instinktin e shpëtimit. I mora ca rroba shpejt dhe u zbrita shkallëve nga kati i 14-të. derisa po zbrisja, mendoja me vete ‘ndërtesa do të shembet tani’. Çdo hap që bëja mendoja se ndërtesa do të shembej nga çasti në çast”.
Gulbrandsen thotë se nuk mund ta heqë nga mendja atë që ndodhi as tri ditë pas.
“U traumatizova, mendoja se do të vdisja. Nuk mund ta fshij nga mendja dridhjen e ndërtesës. Ishte sikur po lundroja në një anije të zënë në një stuhi të madhe.”
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 8,574, sipas autoriteteve vendase.
Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 2,662 njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.
Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.

Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.
Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.
Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.
Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.