Suarez uron Messin: Asnjëherë nuk u ngope duke treguar se je më i miri në botë - NACIONALE

Suarez uron Messin: Asnjëherë nuk u ngope duke treguar se je më i miri në botë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Luis Suarez ka reaguar pas paraqitjes të jashtëzakonshme të Lionel Messit, e cila ndihmoi Argjentinën që të fitonte 3:0 ndaj Kroacisë, duke kaluar kështu në finale. Ai pati fjalë të mëdha për ish-bashkëlojtarin e tij.

Ëndrra e Luis Suarezit për të vazhduar sa më gjatë në Katar me Kombëtaren e Uruguait u ndërpre që në fazën e grupeve, por ai ka një arsye të fortë për të ndier akoma emocione të forta.

Dhe, ajo arsye ka emrin Lionel Messi, sepse siç dihet është një mik i mirë i tij që prej kohës kur ishin bashkëlojtarë te Barcelona. Kësisoj, sulmuesi nga Uruguai nuk është vonuar për ta uruar Lionel Messin me komplimente të veçanta.

“Nuk ngopesh asnjëherë duke treguar se je më i miri në botë. Të gjithë të ngritën në këmbë për ta duartrokitur këtë djalë (Messin) për atë se çfarë i jep futbollit. Është e jashtëzakonshme miku im”, shkroi ai në llogarinë e tij në rrjetin social “Instagram”.

Një natë magjike për Messin

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi, fitoi edhe një çmim tjetër të futbollistit të ndeshjes, po ashtu pas një tjetër paraqitje dehëse që tregoi në fushë.

Kjo ishte hera e katërt që 35-vjeçari fitoi gjatë këtij Botërori një çmim të tillë. Pra, në gjashtë ndeshje sa i ka zhvilluar Argjentina, vetëm dyherë nuk ka arritur të shpallet më i miri i ndeshjes.

Ai shënoi një gol dhe kontribuoi gjithashtu me një asist spektakolar, duke dribluar në formë të përsosur dhe magjike njërin prej mbrojtësve më të mirë në këtë Botëror, Gvardiol, para se ta gjente të lirë Alvarezin që shënoi për 3:0.

Messi gjatë një prononcimi të shkurtër u shfaq tejet i lumtur: “Është shumë emocionuese të shohësh gjithë këtë ambient. Publikun tonë, familjet tona. Të shihje këtë gjatë gjithë Kupës së Botës ishte një gjë e jashtëzakonshme. Tani shkojmë ta luajmë ndeshjen e fundit, që ishte edhe ajo çfarë dëshironim."

Gjithashtu, ai me njëmbëdhjetë (11) gola të shënuar u bë futbollisti argjentinas që ka shënuar më së shumti në Botëror, duke kaluar Batistutan që kishte shënuar dhjetë (10) gola.

Lajme të ngjashme