Messi fiton çmimin e futbollistit të ndeshjes pas spektaklit që dhuroi ndaj Kroacisë
Lionel Messi është shpallur futbollisti i ndeshjes, pasi arriti ta ndihmojë Argjentinën që të kalojë në finale, duke mposhtur 3:0 Kroacinë.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi, fitoi edhe një çmim tjetër të futbollistit të ndeshjes, po ashtu pas një tjetër paraqitje dehëse që tregoi në fushë.
Kjo ishte hera e katërt që 35-vjeçari fitoi gjatë këtij Botërori një çmim të tillë. Pra, në gjashtë ndeshje sa i ka zhvilluar Argjentina, vetëm dyherë nuk ka arritur të shpallet më i miri i ndeshjes.
Ai shënoi një gol dhe kontribuoi gjithashtu me një asist spektakolar, duke dribluar në formë të përsosur dhe magjike njërin prej mbrojtësve më të mirë në këtë Botëror, Gvardiol, para se ta gjente të lirë Alvarezin që shënoi për 3:0.
Leo Messi with MOTM award 🏆 pic.twitter.com/mccsPOWzcT
— All About Argentina 🛎🇦🇷 (@AlbicelesteTalk) December 13, 2022
Kujtojmë se në fund të ndeshjes Leo u tregua shumë i lumtur për atë se çfarë ka arritur kombëtarja e tij.
Messi gjatë një prononcimi të shkurtër u shfaq tejet i lumtur: “Është shumë emocionuese të shohësh gjithë këtë ambient. Publikun tonë, familjet tona. Të shihje këtë gjatë gjithë Kupës së Botës ishte një gjë e jashtëzakonshme. Tani shkojmë ta luajmë ndeshjen e fundit, që ishte edhe ajo çfarë dëshironim."
Gjithashtu, ai me njëmbëdhjetë (11) gola të shënuar u bë futbollisti argjentinas që ka shënuar më së shumti në Botëror, duke kaluar Batistutan që kishte shënuar dhjetë (10) gola.

