Spalletti: Rrahmani për ne është vendimtar - NACIONALE

Spalletti: Rrahmani për ne është vendimtar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Luciano Spalletti foli në konferencë për shtyp sot, kur nuk la pa përmendur edhe një herë mbrojtësin kosovar, Amir Rrahmani. Ai e cilësoi kapitenin “dardan” si vendimtar për skuadrën e tij.

Napoli po përjeton një formë ëndrrash në Serie A, duke gëzuar një epërsi prej +13 pikëve në krye të tabelës nga ndjekësit e vet në garën për titull. Në këtë sukses dhe ecuri pozitive rezultatesh hisedar është edhe mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.

Të tillë e konsideroi edhe vetë Spalletti në konferencën e sotme për shtyp në prag të sfidës që do ta luajë nesër në udhëtim kundër Spezias. Pyetja e parafundit që iu parashtrua në konferencë për shtyp ishte pikërisht rreth Rrahmanit.

“Rrahmani? Është lojtar vendimtar për ne. Në përgjithësi të gjithë lojtarët që kemi në skuadër janë shumë të rëndësishëm, pa dashur të bëj dallime”, tha ai.

28-vjeçari kosovar para dy ditësh nuk u stërvit me grupin, duke kryer kështu stërvitje individuale dhe të veçuara. Megjithatë, ai është gati për ndeshjen e nesërme.

Pikë referimi për Spallettin

Rrahmani ka pasur gjithmonë përkrahjen e Spallettit, qëkur ky i fundit është emëruar në pozitën e trajnerit të skuadrës “Partenopea”. Jugorët synojnë që ta rikthejnë titullin në qytetin e tyre pas vitit të largët 1990.

Përfaqësuesi kosovar është titullar i palëkundur në formacionin e trajnerit italian, duke krijuar kështu një binom në qendërmbrojtje me koreanojugorin Kim, i cili ka qenë njëri prej zbulimeve më të mira që kanë bërë drejtuesit e klubit, së bashku me Kvaratskhelian në repartin e sulmit.

Kështu, mbrojtësi kosovar nesër pritet ta bëjë paraqitjen e tij të katërmbëdhjetë (14) me Napolin në Serie A gjatë edicionit të sivjetëm. Njashtu, ai ka arritur të zhbllokohet edhe sa i përket golave të shënimit në këtë sezon, duke u regjistruar në listën e golashënuesve në fitoren magjepse 5:1 kundër Juventust, e cila u shënua më 13 janar të këtij viti.

Për fat të keq, Rrahmani u detyrua të mos ishte në gatishmëri për gjashtë ndeshje radhazi në kampionat, gjegjësisht nga gjysma e tetorit deri në përfundimin e fazës së parë të Serie A, pas lëndimit që pësoi në Cremona më 9 tetor, respektivisht në kofshën e këmbës së majtë.

Njëherësh edhe negociatat për vazhdim të kontratës me Napolin po vazhdojnë. Sipas raportimeve në Itali, tashmë ekziston një marrëveshje në parim mes palëve. Zyrtarizimi i nënshkrimit të kontratës së re shihet si çështje kohe.

Lajme të ngjashme