Spalletti: Rrahmani nuk ka frikë të luajë në këtë stil futbolli
Luciano Spalletti ka lëvduar sërish paraqitjen e Amir Rrahmanit. Mbrojtësi kosovar gjithashtu ishte protagonist i një goli të bukur në sfidën që Napoli fitoi me rezultat të thellë 5:1 kundër Juventusit.
Vazhdon mbështetja e plotë për Rrahmanin nga trajneri i skuadrës napoletane. Me t’u deklaruar për transmetuesin zyrtar të Serie A në Itali, respektivisht “DAZN”, ai tha se qendra e mbrojtjes është ajo që e ka gëzuar më së shumti, duke përmendur këtu edhe përfaqësuesin kosovar.
“Çfarë ju kënaqi më shumë nga ajo që dëshmoi skuadra në fushë?” – ishte pyetja e gazetarit të “DAZN”.
Spalletti u përgjigj menjëherë pa ndonjë mëdyshje: “Qasja duhet të jetë e atillë që ta mbizotërojmë ne vetë ndeshjen. Ne arrimë ta bëjmë këtë gjë dhe kemi mbrojtës që janë të aftë të luajnë në zona të hapura të fushës. Rrahmani dhe Kim nuk kanë frikë të luajnë në zona të hapura.”

Trajneri i skuadrës lidere ne Serie A tregoi edhe se si e konceptojnë stilin e lojës së tyre, duke dëshmuar edhe njëherë që janë të etur për të qenë gjithnjë në zotërim të topit.
“Nganjëherë jemi të detyruar që me gjithë skuadrën të bëjmë presion deri në rikuperim dhe marrje të topit. Janë energji të mëdha që shpenzohen. Porsa e humbim topin, u ngjitemi menjëherë kundërshtarëve për ta rifituar atë”, tha ai.
Përndryshe, për ta dëshmuar këtë që thotë Spalletti, mjafton të cekët fakti që Rrahmani ishte lojtari i katërt për nga kilometrat e vrapuar te skuadra e Napolit gjatë ndeshjes së sotme.
Kapiteni i Kombëtares së Kosovës vrapoi plot 10,088 km. Kështu Rrahmani është duke e jetësuar formën më të mirë të karrierës. Dhe, si një dekor përndritës shërbeu edhe goli që shënoi sot kundër Juventusit, e që ishte i pari për sezonin e sivjetëm 2022/2023.

