Southampton bëhet ‘e gjallë’ në fund, arrin barazimin me Tottenhamin - NACIONALE

Southampton bëhet ‘e gjallë’ në fund, arrin barazimin me Tottenhamin

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Tottenham Hotspur nuk ka arritur ta vazhdojë rrugën e fitoreve në Premierligë, pasi në minutat e fundit lëshoi fitoren nga duart ndaj Southamptonit, për të barazuar me rezultat 3:3, kështu tani për të rrezikuar edhe pozitën e katërt në tabelën e elitës angleze.

Pas eliminimit në Ligën e Kampionëve ndaj Milanit në 1/8 e finales, dukej se diçka për mirë ndryshoi në skuadrën e Antonio Contes, pasi mund të kthehej fokusi tërësisht në ligë, por kjo nuk ndodhi, sepse pas një fitore ndaj Nottingham, sërish erdhën te një rezultat jo mirë, siç është ky sot, barazimi.

Sa i përket ndeshjes së zhvilluar në Saint Mary’s Stadium, londinezët ishin më të mirë për një nuancë, por pjesa e parë la për të dëshiruar nga dy skuadrat, pasi pati vetëm një goditje në drejtim të portave dhe ajo përfundoi në rrjetë.

Ishte asistim shumë i bukur në zonë nga Son Heung-min, të cilën në gol e konvertoi Pedro Porro me një goditje të fortë në këndin e epërm të portierit për të shënuar për rezultatin 1:0 në minutat shtesë të pjesës së parë.

Pjesa e dytë ishte më atraktive nga të dy skuadrat. Me të rifilluar takimi, vendasit arritën të gjenin golin e barazimit për t’i vënë në presion mysafirët.

Theo Walcott harkoi ulët në zonë dhe gjeti Che Adams që lehtësisht e shtyu topin në rrjetë për rezultatin 1:1 në minutën e 46-të.

Tottenhami arriti të kthehej në lojë me anë të kapitenit të tyre, Harry Kane, që shënoi me kokë golin për 2:1 pas një harkimi të bukur nga Dejan Kulusevski.

Nëntë minuta më vonë, saktësisht në minutën e 74-të, Ivan Perisic shënoi gol fantastik për rezultatin 3:1.

Ish-ylli i Arsenalit, Walcott, ishte sërish ai që doli në pah në fushë për vendasit, kësaj radhe për të shënuar golin e ngushtimit të rezultatit në 3:2.

Kur po mendohej se ndeshja po shkonte drejt fundit dhe gjithçka ishte kryer, një gabim trashanik nga Pape Sarr që shkaktoi penallti në minutat shtesë, bëri që rezultati të barazohej në 3:3, pasi nga pika e bardhë i saktë u tregua kapiteni, Ward-Prowse.

Ky barazim i prish punë Tottenhamit, pasi jo vetëm që mbetet në pozitën e katërt, por humbi mundësinë për të rritur epërsinë ndaj Newcastles së pozitës së pestë, ndërsa Southampton ky barazim nuk ndryshoi asgjë, pasi mbesin në pozitë të fundit.

Lajme të ngjashme