Sky Sports: Cristiano Ronaldo dhe Harry Maguire do të jenë në stol kundër Liverpoolit
Trajneri Erik ten Hag mesa duket ka vendosur qe dyshen Cristiano Ronaldo dhe Harry Maguire ta lërë në stol për derbin anglez kundër Liverpoolit, kështu raporton mediumi “Sky Sports”.
Manchester United pas dy humbjeve turpëruese në Premierligë do ta mirëpres rivalin e përbetuar në “Old Trafford” ditën e hënë.
Mirëpo, Ten Hag ka vendosur të bëjë disa ndryshime në krahasim me dy xhirot e para në këtë kampionat anglez.
“Sky Sports” raporton se tekniku holandez do t’i lërë në stol dyshen Cristiano Ronaldo dhe Harry Maguire, dy lojtarët që ishin titullar xhiron e fundit, me anglezin që zhvilloi minuta të plotë edhe në xhiron e parë.
Raporti shton se sulmuesi Anthony Martial do të jetë nga minuta e parë. Francezi nuk ishte i pranishëm në dy ndeshjet e para në Premierligë shkaku që pësoi lëndim para se të niste edicioni.
Martial nën urdhrat e Ten Hag shkëlqeu në fazën parapërgatitore, e tani mbetet të shihet se çfarë do të bëjë ditën e hënë.
Arsyeja pse Ronaldo është në stol lidhet me dëshirën e tij të largimit nga klubi, derisa edhe që nuk arriti të tregojë vetën në humbjen e fundit kundër Brentfordit.
20 herë kampioni i Anglisë ka bërë startin më të dobët në histori, duke pësuar dy humbje radhazi, e renditen në fundin e tabelës pa asnjë pikë.
Mirëpo, nga ana tjetër as Liverpool nuk qëndron në formën më të mirë të mundshme, ku për dy xhiro ka arkëtuar vetëm dy pikë, atë duke barazuar ndaj Fulham e pastaj edhe Crystal Palace në “Anfield”.
Dy trajnerët para ndeshjes e kanë vlerësuar këtë sfidë si tejet të vështirë, por ka optimizëm nga dy palët se skuadrat e tyre do të arkëtojnë pikët e plota.
Për fund, kujtojmë se përballja mes Manchester Unitedit dhe Liverpoolit zhvillohet në “Old Trafford” dhe do të nis në ora 21:00.