S’ka fitues në “San Siro”, RB Leipzig mposht Young Boysin - NACIONALE

S’ka fitues në “San Siro”, RB Leipzig mposht Young Boysin

1 javë më parë

nga NACIONALE

AC Milan dhe Newcastle United kanë ndarë pikët, derisa RB Leipzig triumfoi me mund kundër Young Boys (1:3), në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Derbi më interesant u zhvillua në “San Siro”, ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 0:0.

“Rossonerët” ishin shumë herë më të mirë se anglezët duke i dominuar në të gjitha aspektet, por që assesi s’e gjetën rrugën drejtë rrjetës.

Milan rrezikoi dy herë fillimisht me Rafael Leao e pastaj edhe me Olivier Giroud, mirëpo të dy sulmuesit dështuan nga afërsia.

I njëjti ‘fat’ i përcolli edhe në pjesën e dytë, ku kishin raste të njëpasnjëshme por që nuk arritën ta thyenin mbrojtjen e ‘hekurt’ mysafire.

Nick Pope padyshim ishte heroi i Newcastle Unitedit ku mahniti të gjithë me pritje fantastike.

Kësisoj, dy skuadrat marrin nga një pikë në grupin F.

Në anën tjetër, RB Lepzig me mund fitoi pikët e plota në udhëtim te Young Boys. Gjermanët ishin më të mirë duke shënuar në fund fitore me rezultat 1:3.

Pas vetëm tre minutave lojë, Leipzig kaloi në epërsi me një gol të bukur të Mohamed Simakan që realizoi me kokë.

Mirëpo, klubi zviceran arriti të këndellet duke barazuar rezultatin pas golit të bukur të Meschack Elias (33’).

Në pjesën e dytë, Leipzig ishte shumë herë më e mirë duke shënuar me Benjamin Seskon por që u anulua për pozitë jashtë loje.

Epërsinë mysafirëve ia ktheu Xaver Schlager me një goditje të fuqishme (74’), derisa fitoren e vulosi Sesko në kohën shtesë (90+3').

Pas kësaj fitore, Leipzig merr liderin në grupin G me tre pikë derisa Young Boys renditet në fund pa pikë.

Lajme të ngjashme