“Sindroma e Botërorit” – qindra tifozë kinezë hospitalizohen me arsyen se kanë shikuar shumë ndeshje
Ndonëse duket paradoksale dhe e përçudshme, por është e vërtetë. Shtypi ndërkombëtar shkruan se në Kinë qindra tifozë janë hospitalizuar në spitalet e vendit pasi kanë shikuar shumë ndeshje gjatë Botërorit.
Kupa e Botës që po zhvillohet në Katar për dikë ka sjellur edhe pengesa në shëndet. Këtë fat të keq duket se e kanë pasur qindra persona në shtetin kinez.
Për arsye të qëndrimit shumë orë para ekraneve televizive duke shikuar ndeshjet e Botërorit, atyre u janë paraqitur disa probleme shëndetësore.
Në Kinë, respektivisht në spitalin e Meizhou, ekziston një strukturë e veçantë për të gjithë ata që ndjekin një stil të çrregullt të jetës për t’i shikuar ndeshjet e Botërorit. Pacientët në fjalë përballen me probleme kardiovaskulare, të pagjumësisë apo me probleme gastrointestinale.

Drejtori i spitalit, Zhang Yanzhong, e ka konfirmuar një gjë të tillë për të përditshmen “China Daily”: “Pjesa më e madhe e pacientëve janë të gjinisë mashkullore dhe janë të apasionuar pas futbollit, duke qëndruar deri në orët e vona për t’i shikuar të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës në Katar.”
Zona kohore pengesë për kinezët
Zona kohore paraqet një problem në vete në Kinë, sepse ndeshjet fillojnë në orare të papërshtatshme. Kështu, duke bërë kompromis me gjumin dhe duke fjetur shumë pak, pacientët në fjalë kanë vendosur që t’ia dedikojnë kohën Kupës së Botës.
Në masë të madhe ka qenë pagjumësia ajo që ka rënduar shëndetin e një pjese relative të qytetarëve kinezë, të cilët nuk kanë mundur ta përballojnë të qëndruarit para ekranit me pak orë gjumë.

Brengat më të mëdha kanë të bëjnë me një rritje të problemeve kardiovaskulare. Orari i papërshtatshëm nuk është i vetmi faktor që po shërben në këtë përkeqësim të shëndetit të tyre.
Mjekët kinezë edhe pjesën emotive të disa njerëzve në raport me ndeshjet që shikojnë, e kanë konsideruar si shkaktar të sëmundjeve që po shtohen.
Një tjetër mjek për “China Daily” u shpreh rreth këtij fenomeni: “Të gjithë mjekët e spitalit luajnë futboll dhe mund t’i kuptojnë më mirë emocionet e tifozëve. Niveli i futbollit kinez nuk është shumë i lartë, por vendi ka një numër të madh të apasionuarve të futbollit.”

Pra, tani janë vetëm qindra pacientë që kanë kërkuar ndihmën e mjekëve për shkak të këtyre rrethanave, por në Kinë raportohet se numri pritet të rritet gjatë ditëve në vijim.
Posaçërisht në qytetin e Meizhou pritet të ndodhë një gjë e tillë, pasi identifikohet si një qytet që jeton me futbollin në shtetin aziatik.

