Capello: Për CR7 mosha përbën problem – dallimi me Messin është se argjentinasi vijon të jetë vendimtar
Trajneri italian i futbollit, Fabio Capello, në një intervistë për “Il Messaggero” ka komentuar formën e dobët të Cristiano Ronaldos, duke bërë edhe një krahasim me Lionel Messin.
Momenti jo i mirë që po kalon pesë herë fituesi i Topit të Artë ka rënë në sytë e të gjithëve. Së voni, edhe Fabio Capello është shprehur në lidhje me kritikat që po i bëhen.
Ai në një paradigmë që bëri me Messin tregoi se ku qëndron dallimi mes të dyve dhe se çfarë determinon te Ronaldo që ta ketë këtë rënie në karrierë.
“Pas dy muajsh Cristiano Ronaldo do të jetë 38-vjeç. Pra, është një problem moshe. Andaj më duket normale që të menaxhohet ndryshe (iu referohet përzgjedhësit Santos që e la në stol ndaj Zvicrës)", shtoi ai.
"Dallimi i vërtetë me Messin është se argjentina, sado që ka humbur pak nga pikëpamja e shpejtësisë, arrin gjithmonë që të krijoj diçka. Leo arrin të jetë akoma vendimtar. Ndërkaq Ronaldo më pak”, nënvizoi ai.

Duke mbrojtur zgjedhjen e përzgjedhësit portugez për ta lënë në bankën rezervë duke futur në vend të tij Gonçalo Ramos, Capello tha se duhet parë edhe një përspektivë realistike.
“Duhet të vëzhgohen paraqitjet e Mbappes për ta pasur një idee më të qartë. Francezi luan me një shpejtësi supersonike dhe nuk po flasim vetëm në suazë të kilometrave në fushë që vrapon. Vetë starti i Mbappe brenda zonës së rreptësisë është vrastar”, saktësoi ai.

Ronaldo thërret për bashkim
Kapiteni i kombëtares portugeze, Cristiano Ronaldo, gjatë ditës së sotme reagoi me një shkrim në profilin e tij në “Facebook”, ku akuzoi qarqet e jashtme që po dëshirojnë ta destabilizojnë klimën e mirë brenda kampit të skuadrës.
"Një grup shumë i bashkuar për t'u thyer nga forcat e jashtme. Një komb shumë i guximshëm për të lënë veten të trembet nga ndonjë kundërshtar. Një ekip në kuptimin e vërtetë të fjalës, i cili do të luftojë për ëndrrën deri në fund! Besoni me ne! Forca, Portugali!", tha ai.
Portugalia do të luajë në pasditën e së shtunës, me fillim në ora 16:00, ndaj Marokut në ndeshjen e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Botës.

Lënia në stol e Cristiano Ronaldos kundër Zvicrës nga shtypi ndërkombëtar është komentuar më shumë sesa vetë fitorja emblematike 6:1 kundër helvetëve.
Zëvendësuesi i tij, Gonçalo Ramos, ishte një bast i fituar nga Santos, pasi arriti të shënojë trigolësh, duke qenë protagonisti kyç i mbrëmjes.

Sidoqoftë, qoftë nga Federata e Futbollit e Portugalisë apo nga vetë përzgjedhësi Santos, si dhe lojtarët tjerë – është demantuar kategorikisht çdo krisje e raporteve me Cristiano Ronaldon.
Vetë Santos para dhe pas sfidës ndaj Zvicrës lavdëroi kapitenin e skuadrës se e kishte marrë me mjaft profesionalizëm lajmin se do të qëndronte si rezervist në ndeshjen e 1/8 e finales.
Tani është akoma e paqartë nëse ai do të lihet në stol edhe për ndeshjen e radhës ndaj Marokut. Në Portugali tifozët janë të pajtimit që Ronaldo duhet të mos e nisë ndeshjen si titullar.
Një gjë e tillë reflekton në të gjitha matjet online që janë bërë në shtypin portugez, pasi Ramos është preferuar më shumë për të qenë titullar.


