Kush është Goncalo Ramos, njeriu që e la nën hije Cristiano Ronaldon? - NACIONALE

Kush është Goncalo Ramos, njeriu që e la nën hije Cristiano Ronaldon?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Para fillimit të ndeshjes, të gjithë po flisnin se si Cristiano Ronaldo ishte lënë në stol. Me përfundimin e ndeshjes, gjithçka flitej për Goncalo Ramosin.

Kamerat ishin drejtuar kah golashënuesi më i mirë në historinë e Portugalisë - reagimi i të cilit pasi ishte zëvendësuar në ndeshjen paraprake të kombëtares së vet e kishte zemëruar dukshëm trajnerin Fernando Santos – derisa u ul në mesin e rezervistëve në bankën portugeze për ndeshjen e një të tetës së finales kundër Zvicrës në Kupën e Botës në Katar.

Stoli u rrethua nga fotografët e etur për ta kapur në kamerën e tyre një Ronaldo të pakënaqur, i cili mungonte në formacionin titullar në një turne të madh për herë të parë që prej vitit 2008.

Por vëmendje shumë shpejt u zhvendos në veprimet në fushë, ku një 21-vjeçar zëvendësues e shfrytëzoi mundësinë duke shënuar het-trik të mrekullueshëm në triumfin e madh 6:1.

Një prezantim në Kupën e Botës për t’u mbajtur në mend

Kur trajneri i Portugalisë Santos vendosi ta lërë Ronaldon në stol për këtë ndeshje, ai nuk ka mundur të shpresonte për një rezultat më të mirë.

Jo vetëm që skuadra e tij i shënoi gjashtë gola në një ndeshje eliminimi në Kupën e Botës, por i riu të cilin e thirri për ta zëvendësuar veteranin, i shënoi tri gola në natën më të madhe të karrierës së vet.

Në moshën 21-vjeçare e 169 ditë, Ramos është lojtari më i ri që shënon het-trik në Kupën e Botës që prej Florian Albertit të Hungarisë në vitin 1962.

Sulmuesit të Benficas iu deshën vetëm 17 minuta për ta prezantuar veten në Katar, dhe 67 në përgjithësi për ta kompletuar het-trikun. I zëvendësuar në minutën e 74-të, ai e përfundoi lojën me më së shumti goditje (6), goditje në kornizën e portës (5), dhe prekje të topit në zonën kundërshtare (6), përveç tri golave.

Kush është Ramosi?

Derisa Ronaldo, me tetë gola në Botërore, ende nuk ka shënuar në fazën e eliminimit në gjashtë paraqitje për Portugalinë, Ramosi i ka shënuar tri tashmë.

Ramosi, i cili ka dalë nga akademia e të rinjve të Benficës, kishte luajtur vetëm 33 minuta në përgjithësi për Portugalinë në tri paraqitje për kombëtaren para përballjes me Zvicrën të martën.

Ai e kishte shënuar një gol në 23 minuta lojë në një miqësore kundër Nigerisë në nëntor, para se të paraqitej dy herë si zëvendësues, dy minuta kundër Ganës dhe tetë minuta kundër Uruguait në fazën grupore.

Me 14 gola dhe gjashtë asiste në 21 ndeshje për Benficën këtë sezon – përfshirë shtatë gola në gjashtë ndeshjet e fundit në ligë – Ramosit sigurisht se s’i mungon vetëbesimi për momentin.

Por ai ka mundur ta shihte vetëm në ëndërr debutimin që e pati si titullar në Kupën e Botës.

Lajme të ngjashme