Shtypi italian i pamëshirshëm ndaj Mërgim Vojvodës dhe Etrit Berishës - vlerësohen me nota të ulëta
Ndeshja që përfundoi me rezultat 1 me 0 në Marassi në të mirë të Genoas, ku Etrit Berisha dhe Mërgim Vojvoda ranë nga loja me dy gabime individuale në rastin e golit të pësuar, kanë bërë që këta dy të fundit të vlerësohen me nota të ulëta nga shtypi italian.
Sot, nuk ka paqe për shqiptarët në Torino. Përveç që u kritikuan pamëshirshëm nga tifozëria e tyre, ata nuk i kursyen as mediat italiane, të cilat menjëherë pas përfundimit të takimit zgjodhën përshkrimet dhe vlerësimet më të ulëta, për ta pasqyruar paraqitjen e dobët të tyre gjatë ndeshjes së sontme.

Ambienti lokal i Torinos sheh te Vojvoda dhe pjesa tjetër e ekipit një ulje të tempos së lojës, koncentrimit dhe gjendjes psikofizike. Diçka që është tipar i zakonshëm te skuadrat e Juric në gjysmën e dytë të sezonit, pasi vetë loja që aplikon ky i fundit, me shumë angazhim vetëmohues, presion të lartë, bën që në muajt e fundit të kampionatit skuadrat e tij të jenë të "shtrydhura" sa i përket energjive që u shterrohen javë pas jave. Edhe në Hellas Verona ishte skenari i njëjtë kur kroati ishte trajner i skuadrës nga Veneto.
Gjithsesi, mediat italiane para pak minutash shpalosën vlerësimet e tyre me anë të notave për paraqitjet e Mërgim Vojvodës dhe Etrit Berishës.
Në vazhdim jua sjellim disa prej tyre, prej mediave kombëtare dhe atyre lokale.
SPORTMEDIASET
Mërgim Vojvoda 5: "Një paraqitje që duhet të rishikohet, mbi të gjitha sepse gabon nga një pozitë e volitshme përballë portës, ku godet shtyllën e lartë".
Etrit Berisha 5: (*notë pa përshkrim nga mediumi në fjalë)
TUTTOMERCATOWEB
Mërgim Vojvoda 5: "Shtylla e lartë e goditur nuk shpëton paraqitjen e tij. I rëndë gabimi pas 14 minutave të fillimit të lojës, kur humbet topin pas presionit të Frendrup dhe përfundoi për t'ia dhuruar golin e epërsisë Genoas".
Etrit Berisha 5: "Para ndeshjes thoshte që ishte i lumtur që është shndërruar në portier titullar të skuadrës, por nuk vonon shumë dhe vjen gabimi në aventurën e re me Torinon. Dalje e gabuar dhe tri pikë të dhuruara, për golin që shënoi Portanova".
TORINO IT
Mërgim Vojvoda 5: "Mundëson që në mënyrë shumë të lehtë t'i rrëmbehet topi që çoi në epërsinë 1 me 0 për skuadrën vendase, duke ia lejuar Frendrupit harkimin. Ka një rast të mirë shënimi me kokë, por godet shtyllën e sipërme të portës. Juric i kërkoi vazhdimisht ta rriste praninë në aksionet sulmuese kur ekipi i tij ndodhej me një lojtar më shumë në kundërsulme, por nuk ia del të jetë efikas me harkime dhe të avancojë me topin përpara".
Etrit Berisha 4.5: "Ka përgjegjësi të mëdha në golin e epërsisë së Genoas. Pikërisht në ndeshjen ku zyrtarisht kishte kaluar në hierarki portierin serb, Vanja, rrezikon që të bëjë Juricin të ndryshojë mendim sërish".