Shqipëria përfundon përgatitjet për Çekinë, ekipi pa asnjë mungesë drejt Pragës
Kombëtarja e Shqipërisë ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në 'Shtëpinë e Futbollit' në paraditen e sotme, në prag të ndeshjes ndaj Çekisë që zhvillohet nesër (e premte).
Skuadra e udhëhequr nga Sylvinho bëri seancë të plotë me një kohëzgjatje mbi një orë. Fillimisht fokusi ishte te përgatitja atletike, ndërsa më pas u përgatit loja me top dhe disa skema, teksa në fund u provuan goditjet në portë.
I gjithë grupi tani gëzon formë të mirë fizike dhe asnjë lojtar momentalisht nuk ka probleme fizike, me të gjithë lojtarët e ftuar të gatshëm për përballjen ndaj Çekisë.
Kristjan Asllani në ditët e kaluara u stërvit i ndarë, por tani duket mirë dhe pritet të luajë nesër nga minuta e parë.

Pas përfundimit të stërvitjes së sotme, Kombëtarja u kthye në hotel për t'u përgatitur që nga Tirana të nisen drejt Pragës.
Përballja me Çekinë zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:45 në Epet Arena, e vlefshme për Ligën e Kombeve, aty ku kuqezinjtë kanë një fitore dhe një humbje, pas dy ndeshjeve të para të zhvilluara.
Me të arritur në Çeki, trajneri Sylvinho dhe njëri nga lojtarët, kanë planifikuar një konferencë për shtyp për të folur për ndeshjen. Konferenca do të zhvillohet me fillim nga ora 18:30.

Kujtojmë se përballja me Çekinë nuk është e vetmja për Shqipërinë këtë muaj, pasi ata do të luajnë edhe ndaj Gjeorgjisë, që poashtu do të jetë në udhëtim, më 14 tetor.