Shqipëria e mbyll me barazim ciklin kualifikues, shkon në “Euro 2024” si lider
Kombëtarja e Shqipërisë e ka mbyllur me barazim ciklin kualifikues në kuadër të Kampionatit Evropian “Euro 2024”.
“Kuq e Zinjtë” dominuan plotësisht ndaj Ishujve Faroe, por nuk krijuan raste të shumta në sulm, andaj epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 0:0.
Vendasit tentuan nga minuta e parë duke provuar përmes krahëve dhe Mirlind Dakut, mirëpo larg finalizimit.
Ylli i Rubin Kazanit kishte dy mundësi të mira shënimi, por në të dy rastet dështoi të mposhte portierin mysafir.
Ndërsa, në pjesën e dytë Shqipëria ishte edhe më e qetë pasi mysafirët arritën të mbroheshin më së miri për të mos pranuar gol.
Në fund, Shqipëria fitoi vetëm një pikë që bën të avancojë si lider nga grupi E me 15 pikë, aq sa ka edhe Republika Çeke në pozitën e dytë.
Në anën tjetër, Polonia përfundoi e treta me 11 pikë, Moldavia e katërta me 10 sosh derisa kjo ishte pika e parë për Ishujt Faroe.