Shqipëria bie në Ligën C, pëson humbje nga Ukraina në Air Albania
Kur më së shumti i nevojitej një rezultat pozitiv, erdhi dëshpërimi nga Kombëtarja e Shqipërisë.
Kuqezinjtë kanë pësuar humbje 2:1 në Air Albania, në xhiron e fundit të Ligës së Kombeve, nga Ukraina.
Kjo humbje nënkupton rënie nga Liga B ku ishte në Ligën C.
Ukraina e nisi shumë më mirë takimin, madje duke shënuar dy gola të hershëm.
Ishte fillimisht Oleksandr Zinchenko që në minutën e pestë shënoi gol të bukur për 1:0.
Pesë minuta më vonë, sulmuesi Yaremchuk e dyfishoi rezultatin.
Shqipëria nuk arriti të dërgonte asnjë goditje në drejtim të portës në pjesën e parë, me dy goditje jashtë që u dërguan nga Muçi e Laçi.
Pjesa e parë e takimit përfundoi me rezultat 2:0, teksa në pjesën e dytë Shqipëria ishte shumë më kërkuese, duke u paraqitur me fytyrë krejtësisht tjetër.
Ata e dominuan pjesën e dytë, sidomos me posedim, por krejt çfarë arritën të bënin ishte një gol i shënuar nga penalltia në minutën e 75-të nga Nedim Bajrami.
⚽️ GOAL | 🇦🇱 Albania 1-2 Ukraine 🇺🇦 | Nedim Bajramipic.twitter.com/xBTXYGhldT
— Goals Xtra (@GoalsXtra) November 19, 2024
Takimi në Air Albania u mbyll me rezultat 2:1 në të mirë të Ukrainës.
Kjo nënkupton që Shqipëria bie në Ligën C, pasi zuri vendin e fundit në Ligën B1.
Çekia me fitoren 2:1 ndaj Gjeorgjisë kalon në Ligën A.
Ukraina do të luajë në play-off për t'u promovuar në Ligën A, ndërsa Gjeorgjia për të mbetur në Ligën B apo për të rënë në Ligën C.