Shpëton Barcelona, Katalunasit barazojnë në udhëtim te Rayo Vallecano
Barcelona ka arritur që me shumë vështirësi të marrë një barazim 1:1 në udhëtim te Rayo Vallecano, pasi ishin duke humbur deri në minutën e 82-të.
Ky rezultat do t'i konvenvojë Real Madridit e Gironës, që mund ta rrisin epërsinë në renditjen tabelore në +4 dhe +6 respektivisht.
Barcelona zhvilloi një nga ndeshjet më të dobëta sot, me pjesën e parë që ishin krejtësisht inferior ndaj vendasve, të cilët krijuan disa raste të rrezikshme shënimi.
Me rastet e krijuara erdhi edhe goli i epërsisë. Ishte Unai Lopez që gjeti rrjetën për 1:0 në minutën e 39-të, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.
Barcelona u aktivizua paksa në pjesën e dytë, por sërish kishte probleme në ndërtim të aksioneve, sado që posedimi ishte në të mirë të tyre.
Në një dalje të shpejtë erdhi goli i barazimit. Ishte Balde që me një harkim tentoi ta gjente Robert Lewandowskin, por mbrojtësi Florian Lejeune, në tentim për ta larguar e çoi topin në golin e tij, për barazimin e rezultatit në 1:1 në minutën e 82-të.
Deri në fund të takimit gola nuk pati më dhe Barcelona u pajtua me barazim.
Skuadra e Xavi Hernandezit tani e rrezikon edhe vendin e tretë, ndërsa Real Madrid e Girona mund të largohen tutje në rast të fitores në xhiron e kësaj jave.