Shorti për Kampionat Evropian hidhet sot, Kombëtarja e Shqipërisë do të mësojë tre kundërshtarët e saj
Shorti për grupet e Kampionatit Evropian 2024 do të hedhet sot, ku Shqipëria do të mësojë emrat e tre kundërshtarëve.
EURO 2024 do të zhvillohet në 10 qytete të ndryshme të Gjermanisë përgjatë një muaji (14 qershor - 14 korrik) me 24 kombëtare që luftojnë për trofeun e madh.
Në Hamburg të Gjermanisë, sot me fillim nga ora 18:00, skuadrat nga katër vazot do të ndahen në gjashtë grupe.
Si funksionon shorti?
Skuadrat e vazos së parë nuk mund ta kenë assesi për kundërshtar një skuadër të asaj vazo, por nga secila vazo (2, 3, 4) nga një kundërshtar. E njëjta vlen edhe për vazot e tjera, pra vazo e dytë do të ketë një nga vazo 1, një nga vazo tre dhe një nga vazo katër.
Vazot janë të ndara nga sukseset e kombëtareve në kualifikimet paraprake, të ndihmuara nga rregullat që janë:
a) pozita përfundimtare në grup;
b) pikët;
c) diferenca e golave;
d) gola të shënuar;
e) gola të shënuar si mysafir;
f) numri i fitoreve;
g) numri i fitoreve si mysafirë;
h) gjithsej pikë më të ulëta disiplinore (3 pikë për kartonin e kuq duke përfshirë dy kartonë të verdhë, 1 pikë për kartonin e verdhë të vetëm për një lojtar në një ndeshje);
i) pozicioni në renditjen e përgjithshme të Ligës së Kombeve.

Si ndahen skuadrat në vazo?
Pra, siç u cek më lartë, ekzistojnë katër vazo.
Në vazon e parë bëjnë pjesë: Gjermania, Franca, Belgjika, Portugalia, Spanja dhe Anglia;
Në vazon e dytë: Hungaria, Rumania, Shqipëria, Turqia, Danimarka dhe Austria;
Vazoja e tretë:Holanda, Kroacia, Sllovakia, Skocia, Sllovenia dhe Republika e Çekisë;
Dhe vazoja e fundit: Italia, Zvicra, serbia dhe tre vende të lira që do të plotësohen në vazhdim nga play-offi i Ligës së Kombeve.

Grupi më i fortë për Shqipërinë
Pas një suksesi të jashtëzakonshëm në kualifikime, ku Shqipëria mori vendin e parë në grup, kuqezinjtë rrezikojnë të kenë kundërshtarë tejet të fortë në Evropian. Ky mund të jetë shembull i grupit më të fortë të mundshëm për Kombëtaren e Shqipërisë.
Një grup i mundshëm mund të jetë ky: Anglia (vazo e parë), Shqipëria (vazo e dytë), Kroacia (vazo e tretë) dhe Italia nga vazo e fundit.
Padyshim që secili kundërshtarë nga vazoja e parë, do të jetë një sfidë e madhe për kombëtaren që udhëheqet nga Sylvinho, por ata tani kanë treguar se janë gati për ndeshje të forta.
