Shiten afro 67 mijë bileta: Hungaria do të jetë testi i vërtetë i Kosovës
Kombëtarja e Kosovës të martën do ta zhvillojë testin e vërtetë ndaj Hungarisë.
“Dardanët” do të zhvillojnë përballjen e dytë nën urdhrat e Franco Fodas, pas fitores me rezultat minimal 1:0 ndaj Armenisë.
Megjithatë, miqësorja ndaj Hungarisë për Kosovën s’do të jetë aspak e lehtë, sidomos pasi stadiumi do të jetë i mbushur. Mediat hungareze po raportojnë se thuajse të gjitha biletat për ndeshjen e të martës tani janë shitur.
Stadiumi “Puskas Arena”, ku do të zhvillohet miqësorja – ka një kapacitet prej 67 mijë e 215 ulëse, kësisoj Hungaria do të ketë një mbështetje të ‘çmendur’.
Përndryshe, Hungaria po kalon një formë të jashtëzakonshme në aspektin sportiv, ku nuk dinë për humbje në 15 ndeshje radhazi, pra saktësisht që kur mesfushori i Liverpoolit Dominik Szboszlai u bë kapiten.
Kosova tashmë ndodhet në Budapest, ku po kryen stërvitje derisa të martën me fillim nga ora 19:00 zhvillohet përballja.