Shefi i Laligës: Barça s’ka para për Mbappen e Haalandin, Real Madridi po
Presidenti i Laligës, Javier Tebas, beson se yjet e mëdha si Kylian Mbappe i Paris Saint-Germainit dhe Erling Haalandi i Manchester Cityt mund t’i bashkohen vetëm Real Madridit në Spanjë, pasi klubet e tjera nuk kanë kushte ekonomike.
Mbappe dhe Haalandi janë dy futbollistët kryesorë të tanishëm dhe të së ardhmes, veçanërisht pasi Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo të jenë pensionuar.
Duke i marrë parasysh shpenzimet e afateve të fundit kalimtare nga klubet e Premierligës, duket se lojtarë të tillë janë të papërballueshëm për klube nga ligat tjera evropiane.
Tebas beson se vetëm Real Madridi ka mundësi financiare ta blejë Mbappen apo Haalandin në Spanjë, duke i parë telashet e mëdha ekonomike të Barcelonës.
“Shpresojmë se do të ndodhë (që të dy lojtarët të luajnë në Laliga), por këta dy lojtarë mund të luajnë vetëm në Real Madrid, sepse gjendja ekonomike e Barcelonës s’e lejon klubin të blejë lojtarë të tillë”, tha Tebas.
Shefi i ligës elitare spanjolle ka shumë pak shpresa se Barcelona do të jetë në gjendje t’i zgjidhë telashet ekonomike këtë sezon apo tjetrin.
“As këtë sezon e as në sezonin tjetër. Mua më duket si e pamundur”, shtoi ai.
Thuhet se Barcelona ka një borxh prej rreth 600 milionë eurove tani. Ky borxh ishte dyfish më i lartë në verën e vitit 2021.
