Barcelona e hapur të dëgjojë oferta për tre yjet e skuadrës
Barcelona tani është e hapur të dëgjojë oferta për treshen sulmuese Raphinha, Ansu Fati dhe Ferran Torres.
Katalunasit kanë probleme financiare që një kohë të gjatë, por pavarësisht kësaj menaxhuan të shpenzojnë rreth 150 milionë euro për transferime të reja në verë.
Anësori brazilian Raphinha ishte një ndër më të shtrenjtit rreth 55 milionë funte, derisa Robert Lewandowski dhe Jules Kounde gjithashtu kushtuan mjaftë shumë.
Raphinha ka qenë titullar në 12 nga 21 ndeshjet e Barcelonës këtë edicion në të gjitha garat, duke shënuar tre gola dhe dhuruar pesë asistime, por së fundmi nuk është duke arritur të zërë vendin titullar te Xavi.
Fati dhe Torres gjithashtu kanë dështuar të jenë në formacionin bazë, me dy futbollistët që ishin titullar vetëm shtatë herë këtë sezon.
Kështu, gazetari i El Chiringuito, Jose Alvarez raporton se Barcelona nuk ka mbetur e impresionuar me paraqitjet e tyre prandaj është e hapur t'i shesë të tre që të balancojë skuadrën.
Alvarez shton se Lewandowski dhe Ousmane Dembele janë të vetmit sulmues që janë të paprekshëm në dy afatet e ardhshme.
Torres pëlqehet nga dy skuadrat londineze Arsenal dhe Tottenham, por spanjolli ka shprehur dëshirën që të qëndrojë në "Camp Nou".
Sa i përket situatës së Fatit - Man City, Man United dhe Juventus janë duke e vëzhguar situatën dhe thuhet se mund edhe të paguajnë deri në 70 milionë euro.