Shefi i futbollit francez jep dorëheqje pas akuzave për ngacmim
Noel Le Graet ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Federatës së Futbollit të Francës, për shkak të akuzave për ngacmim, përfshirë ngacmim seksual dhe një raporti qortues.
Le Graet, i cili ka qenë president i FFF-së që prej vitit 2011, u largua nga detyra pas fillimit të një hetimi ligjor ndaj dyshimeve për ngacmim moral dhe seksual dhe një raporti të thirrur nga Ministria e Sportit e Francës.
Këtë muaj, raporti erdhi në përfundim se 81-vjeçari nuk e kishte më ligjshmërinë e duhur për të udhëhequr dhe për ta përfaqësuar sportin në Francë, si dhe vuri në pah sjelljet e pahijshme të Le Graet ndaj grave.
Le Graet, i cili dorëheqjen e dorëzoi para Komitetit Ekzekutiv të FFF-së të martën në mëngjes, i ka mohuar të gjitha akuzat.
“Noel Le Graet njoftoi... para Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Francës vendimin për të dhënë dorëheqje nga pozita e tij”, thuhet në një komunikatë të FFF-së.
“Philippe Diallo, zëvendëspresidenti, do të veprojë si president i përkohshëm i FFF-së deri më 10 qershor 2023, data e asamblesë së ardhshme federale”, thuhet tutje në njoftim.
Le Graet, të cilit mandati nuk do t’i mbaronte deri në fund të vitit 2024, është kritikuar pse ia vazhdoi kontratën trajnerit të Kombëtares së Francës, Didier Deschamps, deri në vitin 2026 dhe për komentet fyese drejtuar legjendës së futbollit francez Zinedine Zidane, për të cilat kërkoi falje më vonë.
Kur ishte pyetur nëse Zinedine Zidane do ta udhëheqë Brazilin, pas thashethemeve se ai kishte arritur marrëveshje me pesë herë fituesin e Kupës së Botës, Le Graet kishte thënë për RMC: “Nuk më intereson fare, ai mund të shkojë ku të dojë.”
🚨 Deschamps, Zidane, Benzema, les élections à venir à la FFF... Noël Le Graët s'est lâché dans Bartoli Time sur RMC ce dimanche !
— RMC Sport (@RMCsport) January 8, 2023
🎙 Retrouvez son interview en intégralité ci-dessous, avec @bartoli_marion et @JCDrouet.
Kylian Mbappe, ylli i kombëtares franceze dhe PSG-së, me t'i dëgjuar këto fjalë reagoi, duke thënë se Zidane është Franca dhe ne nuk duhet të ketë mungesë respekti për një legjendë si ai.
“Zidane është vetë Franca, nuk duhet të kemi mungesë respekti për një legjendë si ai”, tha Mbappe në një postim në Twitter.
Le Graet kërkoi falje për komentet e tij të bëra, duke thënë se ato fjalë nuk tregojnë se çfarë ai mendon në të vërtetë për Zidanen, për lojtarin dhe njeriun që është.