Shefi i arrestuar i FFK-së Ademi mbahet në spital edhe sot, mjeku flet për gjendjen e tij - NACIONALE

Shefi i arrestuar i FFK-së Ademi mbahet në spital edhe sot, mjeku flet për gjendjen e tij

3 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është në gjendje të mirë shëndetësore, por ai do të vazhdojë të qëndrojë në Klinikën Torakale në Prishtinë të paktën deri të premten, ka thënë për Gazetën Nacionale drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci.

Ademi u dërgua në i prangosur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të mërkurën.

Kolgeci tha se Ademi ka një kontuzion në gjoks edhe është në pritje të një rëntgeni për ta parë gjendjen e tij.

“Gjendja është e mirë, ne mbrëmë e kemi pranuar. Momentalisht, ne nuk mund ta lëshojmë 24 orë, sepse është në pritje të analizave që i ka kërkuar mjeku kujdestar. Kështu që sot ai rri tek ne, prej nesër mund të lëshohet. Por gjendja është e mirë”, tha Kolgeci për Nacionale.

Ai shtoi: “Është një kontuzion i gjoksit, por ai tash për tash është edhe në pritje të urologut. Kështu që e po e presim edhe urologun për t’u konsultuar me të dhe pastaj shohim. Për neve është një kontuzion, e kemi bërë një rëntgen, të shohim si është, pastaj vendosim.”

Ademi, 61 vjeç, u arrestua dje nga policia dhe ndaj tij u mor vendim për 48 orë paraburgim. Në vend se të dërgohej në paraburgim, ai përfundoi në spital.

Ademi dyshohet se e ka keqpërdorur buxhetin e shtëpisë së futbollit kosovar dhe tani po hetohet edhe për shmangie tatimore.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat e cekura duke keqpërdorur buxhetin e FFK-së. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Rasti në proces hetimor”, njoftoi policia të enjten herët.

Javën e kaluar, Ademi u shpall i pafajshëm lidhur me akuzat për detyrim në një rigjykim të tejzgjatur.

Ademi bashkë me Muharrem Ramën akuzoheshin se në vitin 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, duke i kërkuar t’i jepte 30 mijë euro ose një “BMW X5”.

Prokuroria pritet të ankohet ndaj këtij vendimi.

Shefi i futbollit në vend u përball me autoritetet përsëri dhe në prag të fillimit të një fushatë tejet të rëndësishme të Kosovës në kualifikime për Kampionatin Evropian 2024.

Kosova e nis atë që do të jetë fushata e dytë kualifikuese për një evropian këtë të shtunë me 25 mars përballë Izraelit në Tel Aviv.

Tri ditë më vonë, të martën më 28 mars, dardanët e presin Andorrën në Fadil Vokrri në Prishtinë.

Lajme të ngjashme