ShBA-të tregojnë forcën e vërtetë, e shkatërrojnë Serbinë në përgatitje për Lojëra Olimpike - NACIONALE

ShBA-të tregojnë forcën e vërtetë, e shkatërrojnë Serbinë në përgatitje për Lojëra Olimpike

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përballën sot me Serbinë, që do ta kenë kundër në ndeshjen hapëse të Lojërave Olimpike dhe në miqësore i shkatërruan ata, duke i mposhtur me rezultat të thellë 105:79.

ShBA-të treguan paraqitje fantastike, më të mirën deri më tani, duke shënuar fitore me 26 pikë epërsi.

Miqësorja u zhvillua në Abu Dhabi në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Olimpike, me Steph Curryn që shkëlqeu me 24 pikë, i ndihmuar nga Bam Adebayo me 17 të tjera.

Jokic pati ditë për t'u harruar, pasi shënoi vetëm tetë pikë, me Serbinë që u shkatërrua tërësisht pas çerekut të parë, pra me vetëm 10 minutat e parë që ishin më afër me rezultat.

Curry shënoi 18 pikë në pjesën e parë të takimit, duke përfshirë një katërpikësh (trepikësht dhe gjuajtje e lirë) në çerekun e dytë.

Pas përfundimit të pjesës së parë me rezultat 59:45, në dy çerekët në vazhdim ShBA-të ishin pa mëshirë.

Çereku i fundit ishte një shfaqje dominimi nga Skuadra e ShBA-së, pasi ata ndërtuan epërsinë e tyre të madhe dhe filluan të dhuronin show, të udhëhequr nga Anthony Edwards dhe LeBron James, për ta fituar ndeshjen me 26 pikë epërsi, apo rezultat 105:79.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi e ekipit të ShBA-së pasi fituan ndaj Kanadasë dhe Australisë.

Skuadra e ShBA-së tani do të udhëtojë në Londër, Angli për të përfunduar programin e saj të miqësoreve kundër Sudanit të Jugut (20 korrik) dhe Gjermanisë (22 korrik). Amerikanët ndeshjen hapëse në Lojëra Olimpike e zhvillojnë më 28 korrik kundër Serbisë në Lille, Francë, ndërsa kërkojnë të sigurojnë medaljen e pestë të artë radhazi.

Lajme të ngjashme