Shakhtari i dhuron 23 milionë euro nga shitja e Mudryk në Chelsea për luftën në Ukrainë
Shakhtar Donetsk ka vendosur t’i dhurojë 23 milionë euro nga shuma që e fitoi prej shitjes së Mykhailo Mudryk në Chelsea për t’i ndihmuar ushtarët ukrainas në luftën me Rusinë.
Chelsea e bleu zyrtarisht 22-vjeçarin të dielën, pasi pranoi t’i paguajë 100 milionë euro, përfshirë bonuset, e kërkuara nga klubi ukrainas për shitjen e tij.
Mudryk ishte buzë kalimit te Arsenalit, por rivali londinez ia rrëmbeu atë nga dora duke dhënë më shumë para për lojtarin dhe për klubin.
Tani, një çerek i asaj shumë të fituar nga klubi do t’i dhurohet ushtarëve ukrainas që janë duke luftuar kundër pushtuesit rus që prej shkurtit të vitit të kaluar.
“Ne mund të flasim për futbollin ukrainas vetëm falë ushtrisë ukrainase, popullit ukrainas dhe përkrahjes së jashtëzakonshme që na është ofruar gjatë këtyre kohëve të vështira”, tha presidenti i Shakhtarit Rinat Akhmetov.

“Dhe mënyra e vetme se si mund ta luftojmë të keqen që na ka ardhur në shtëpitë tona është duke punuar së bashku. Unë do t’i dhuroj 23 milionë euro nga shuma e transferimit për t’i ndihmuar ushtarët tanë, mbrojtësit tanë dhe familjet tona”, shtoi ai.
Akhmetov po ashtu la të kuptohej se Chelsea është pajtuar ta luajë një ndeshje miqësore në Donbass Arena, kurdo që klubi është në gjendje të kthehet atje, pasi tani për tani skuadra është vendosur në Poloni për shkak të luftës.
“Unë nuk e kam fshehur kurrë faktin se është ëndrra ime të fitoj trofe evropian. Kjo nënkupton se ne kemi nevojë për lojtar si Mykhailo në klubet ukrainase, që garojnë në nivelin evropian. Fatkeqësisht, kjo është e pamundur në këtë çast, për shkak të kësaj lufte të padrejtë që po bëhet kundër neve nga Federata Ruse”, nënvizoi ai.
