Sezoni i ri i Superligës së Kosovës hap siparin me tri ndeshje joshëse
Sot, Superliga e Kosovës rikthehet në aksion me edicionin më të ri 2022/2023. Disa skuadra kanë pësuar shumë ndryshime, kurse disa të tjera kanë ruajtur boshtin e lojtarëve nga edicioni i mëparshëm.
Futbolli i Kosovës do ta thotë fjalën e vet nga kjo fundjavë, pasi fillon kampionati dhe skuadrat do të fillojnë që të garojnë për objektivat që ia kanë paracaktuar vetes.
Kësisoj, ndeshje të rëndësishme dhe joshëse do të luhen në tri terrene të ndryshme, me fillim në ora 17:00, meqë jemi akoma në stinën e verës dhe është e zakonshme të zbatohet ky orar.
Gara për të gjitha objektivat në tabelë pritet të jetë shumë e hapur. Drita dhe Ballkani llogariten si favoritet kryesore për ta fituar titullin, por pa anashkaluar edhe Llapin dhe Prishtinën. Ndërsa, për Gjilanin akoma ka shumë pikëpyetje, pasi z. Zuka vendosi që të heq dorë nga aksionet në klub dhe tani ka shumë të panjohura rreth asaj se si do të jetë sezoni i gjilanasve.
Tri ndeshjet për sot
Java e parë e Superligës së Kosovës nis sot dhe atë që në fillim me tri ndeshje, në të njëjtin orar. Vëmendjen kryesore pritet ta marrë ndeshja që do të luhet në stadiumin "Riza Lushta", ku Trepça '89 do ta pret në fushën e saj Dritën.
Trepça '89 është rikthyer në Superligën e Kosovës, pasi gjatë sezonit 2020/2021 kishte humbur në finalen e barazhit pas ekzekutimit të penalltive kundër Dukagjinit. Rëndom ndeshjet mes të dy ekipeve kanë ditur të jenë shumë tërheqëse, për shkak të stilit të përafërt të futbollit që aplikojnë që të dyjat.
Tjetra ndeshje që do të luhet gjatë ditës së sotme është ajo mes Dukagjinit dhe Prishtinës. Në Klinë skuadra e udhëhequr nga Armend Dallku do të jetë nikoqire e bardhekaltërve, që këtë vit do të drejtohen nga Ismet Munishi.
Ky i fundit, gjatë ditës së djeshme reagoi ashpër me anë të një komenti në rrjetin social, Facebook, ku shprehi indinjatën për delegimin e gjyqtarit Mervan Bejtullahu, duke hedhur dyshime të rënda se po përgatitet diçka në prapaskenë në favor të Dukagjinit.
Gjithsesi, të dy klubet po bëjnë akoma përpjekjet e tyre për t'i përgatitur skuadrat respektive para se të mbyllet afati kalimtar veror. Andaj, nuk po rreshtin edhe së larguari apo afruari lojtarë të rinj.
Ndeshja tjetër dhe e fundit për ditën e sotme, është ajo mes Gjilanit dhe Ferizajt. Gjilani akoma nuk dihet se me çfarë qëndrueshmërie financiare do të operojë në këtë sezon pas largimit të Zukës. Por, duhet thënë se prapëseprapë ka ruajtur bërthamën kyçe të lojtarëve, e cila ka qenë edhe në sezonet paraprake.
Në anën tjetër, Ferizaj do ta shënojë rikthimin në Superligën e Kosovës, ku nën urdhurat e trajnerit të mirënjohur, Arbnor Morina, do të përpiqet që ta ruajë statusin e skuadrës së Superligës, pa rrezikuar që të bie nga kategoria, siç i ka ndodhur shpesh viteve të fundit.

