Ismet Munishi hedh dyshime te delegimi i gjyqtarit për ndeshjen e nesërme të Prishtinës
Ismet Munishi me anë të një komenti në rrjetin social Facebook, ka ngre pikëpyetje të mëdha në lidhje me referimin e ndeshjes së nesërme, e cila i është besuar Mervan Bejtullahut.
Trajneri Ismet Munishi njihet për komentet e tij të ndryshme që i bën në rrjetet sociale, ku shpesh e thotë atë që mendon, edhe me kushtin që ajo të jetë shumë e vrazhdë.
I tillë ishte edhe një koment i tij së fundi, ku nxit mëdyshje në raport me atë nëse gjyqtari i nesërm, Mervan Bejtullahi, është caktuar me qëllim për t'ia prishuar llogaritë Prishtinës, në ndeshjen që klubi kryeqytetas do ta zhvillojë në stadiumin e Klinës kundër Dukagjinit.
Ai duke i komentuar një qytetari, tregoi pakënaqësinë e tij të plotë në lidhje me delegimin e gjyqtarit Mervan Bejtullahu për të qenë pjesë e gjyqtarëve që do ta ndajnë drejtësinë për ndeshjen e nesërme.
"Po frikësoheni. Për atë arsye e keni vendosur Mervanin, por as ai nuk ju ndihmon. Kot e keni", ka shkruar Munishi.

Munishi u bë trajner i Prishtinës nga qershori. Në vazhdën e riorganizimit të klubit, trajnerit Munishi i është besuar kompetenca e përgatitjes së skuadrës për edicionin e ri 2022/2023 që hap siparin që nesër.
Pritshmëritë e Ismet Munishit për sezonin e ri
Në një bisedë për Gazetën Nacionale tre ditë më parë, ish trajneri i shumë klubeve elitare theksoi se janë skuadra më e mirë fizikisht në Kosovë dhe që është ndarë shumë i kënaqur me fazën parapërgatitore.
"Kemi bërë një fazë të jashtëzakonshme parapërgatitore, kemi pasur kushtet shumë të mirë dhe besoj që jemi skuadra më e përgatitur në Superligën e Kosovës. Nuk ka asnjë skuadër që është fizikisht më mirë tek na".
Munishi paralajmëroi disa nënshkrime të reja në rast se ndonjë futbollistë i ri “shfaqet në skenë” në mënyrë që të shtojnë konkurrencën.
"Po, do të ketë edhe përforcime tjera. Jam i kënaqur me futbollistët që i kemi dhe nëse shfaqet ndonjë lojtar tjetër kualitativ, do të provojmë ta marrim edhe atë që ta rrisim konkurrencën në skuadër".
Përpos kësaj, Munishi gjithashtu nënvizoi se duan ta fitojnë titullin kampion dhe që skuadrat që luajnë në Evropë i sheh si kundërshtarë për titull.
"Do të jetë shumë e vështirë, por synimi është titulli kampion. Këto skuadrat që kanë luajtur në Evropë, domethënë janë skuadra të mira, janë kundërshtarë të mira duke mos anashkaluar klubet e tjera se perime ka skuadra shumë cilësore sepse Superliga është rritur shumë vitet e fundit".
