Armend Dallku: Nuk na intereson më se kë kemi përballë, duam Evropën - NACIONALE

Armend Dallku: Nuk na intereson më se kë kemi përballë, duam Evropën

1 vit më parë

nga Edonis Bytyqi

Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, thotë se më nuk u intereson se me kë do të përballen, dhe që këtë edicion shpreson për një vend në Evropë.

Dukagjini edicionin e kaluar deri vonë luftoi për mbijetesë duke siguruar qëndrimin në elitë gjatë xhirove të fundit.

Por për edicionin e ardhshëm, falë përforcimeve dhe rinovimeve të kontratës për lojtarët me eksperiencë, gjërat kanë ndryshuar dhe duan një vend në Evropë.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Dallku komentoi fazën parapërgatitore, ku theksoi se është shumë i kënaqur me punën e futbollistëve dhe mikpritjen që i është bërë lojtarëve të rinj.

"Po normalisht të gjithë fazën parapërgatitore e kemi përfunduar në Kosovë, duke marrë parasysh kushtet që i kemi në Kosovë. Jemi të kënaqur jashtëzakonisht shumë me punën që e kemi bërë pavarësisht motit që ka mbretëru, pra nxehtësi e madhe, por jemi të kënaqur shumë me punën e bërë, sidomos me prurjet e reja, duke pasur parasysh se ka pasur ndryshime dhe normalisht nuk është e lehtë që disa lojtarë kanë ardhur për herë të parë në Kosovë. Jemi marrë vesh me ta në stërvitje dhe jashtë stërvitjes me komunikim e gjërat e tjera."

Ish trajneri i Prishtinës deklaroi se është shumë i lumtur me transferimet e reja, mirëpo shpreson që të ambientohen pasi që jo të gjithë mund të gjejnë formën më të mirë në kampionatin kosovar.

"Normalisht i kënaqur jam sepse të gjithë lojtarët kanë ardhur me dëshirën tonë. I kemi monitoruar disa lojtarë nga jashtë, pra na janë bashkëngjit në kohën e fundit. Po besoj që të gjithë djemtë të vjetër të them kumtimisht kanë dhënë ndjesinë për ata që të jenë sa më rehat dhe kjo është parë në stërvitje. Shpresoj që ata të kenë adaptim sa më të shpejtë, sepse futbolli në Kosovë për disa shton problem. Normalisht fusha sepse në shtetet e Evropës luajnë me bari sintetik, por besoj që do ta tejkalojnë këtë problematikë që është na paraqit".

I pyetur për synimet, Dallku ishte shumë i qartë. Dëshiron të krijojë një skuadër që nuk di për kundërshtarë dhe këtë edicion do të luftojnë për një vend në Evropë.

"Do të krijojmë një ekip shumë garues, shumë konkurrues që nuk do ta ketë frikë asnjë kundërshtar përballë dhe do të provojmë ta bëjmë më të mirën që të mos jemi në ato situatat si në xhirot e fundit, pra poshtë tabelës. Këtë vit kemi një ekip shumë më konkurrues, më kërkues dhe të dëshirojmë diçka më tepër se vitin e kaluar, pse jo një vend në Evropë apo në pjesën e epërme të tabelës."

"Synimi ynë mbetet që të mos kemi frikë asnjë ekip përballë, pavarësisht si këto me emër si Drita, Gjilani, Ballkani kumtimisht Prishtina. Ekipi është pjekë në këtë drejtim sepse eksperienca ka qenë një ndër problemet për ne, kemi pasur disa lojtarë që nuk kanë luajtur shumë gjatë. Lojtarët që kanë ardhur janë pjekë maksimalisht psikologjikisht që ta përballojnë Superligën dhe të kërkojmë më tepër. Vitin e kaluar patëm treguar ndaj çdo klubi se Dukagjini është një rreth urë dhe e kishin problem."

Kurse sa i përket xhiros së parë që do të përballen me Prishtinën, ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë u shpreh se nuk i intereson me kë do të përballen dhe duan pikët e plota.

"Neve nuk na intereson kë e kemi përballë, kjo është motoja jona. Ndaj çdo klubi do të paraqitemi me të mirët. Edhe Prishtina nuk bën përjashtim, do të kërkojmë maksimumin e pikëve pavarësisht që luajmë në shtëpi, po shpresoj që të kemi ditën tonë dhe të marrim rezultat pozitiv. Nuk ka lidhje xhiro e parë apo e fundit, në çdo ndeshje do të luajmë për rezultat pozitiv."

Në fund, Dallku foli për rivalët për një vend në Evropë duke përmendur klubet si Prishtina, Gjilani, Ballkani, Drita dhe Llapi.

"Gjithë klubet e duan vendin për Evropë. Por, që të mos mbetem borxh, janë klubet si Prishtina, Gjilani, Ballkani, Drita dhe Llapi që po luan në Evropë këto dy vitet e fundit. Shpresoj që ky të jetë viti ynë sepse nuk është që ekipet tjera kanë diçka më shumë se ne. Kjo është e nevojshme që të bëjmë diçka më tepër", përfundoi ai për Nacionalen.

Dukagjini e nis edicionin e ri të Superligës së Kosovës këtë të shtunë, me fillim nga ora 17:00, ndaj Prishtinës.

Lajme të ngjashme